19,11,2024

Mbahen garat e matematikës në Ferizaj

Must Read

Nxënësit e klasës VI,VII dhe VIII të shkollave fillore të Ferizajt, kanë marrë pjesë në garat e matematikës të organizuara nga Drejtoria Komunale e Arsimit në bashkëpunim me shoqatën e matematikanëve të Ferizajt.

Nxënësit me rezultate më të mira do ta përfaqësojnë komunën e Ferizajt në garat që do të mbahen në Gjilan, në nivel të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj Muhamet Halili, tha se janë munduar që të bëjnë përgatitjet e duhura, në mënyrë që kjo garë të jetë e suksesshme.

“Ne si Drejtori e Arsimit jemi munduar që t’u ofrojmë të gjitha mundësitë, qoftë përgatitjet teknike dhe organizative. Ne falenderojmë shoqatën e matematikanëve të komunës së Ferizajt, e cila është bartëse e këtyre ngjarjeve të cilat po ndodhin nga klasa e VI-XII, ku paraprakisht kemi mbajtur një garë ku kanë qenë klasat e IX-XII, kurse tani janë shkollat fillore dhe kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse të gjithë nxënësit garojnë dhe tregojnë talentin e tyre dhe nxisin një konkurencë mes vete, po ashtu edhe tek mësimdhënësit”, tha Halili.

Nexhat Kasa, kryeredaktor i revistës “Plus”, e cila edhe organizon këto gara me karakter mbarëkombëtar, tha se po synojnë që të nxisin të rinjtë ta studiojnë matematikën.

“Garat kanë një karakter për stimulimin e talentëve të rinj nga matematika, prandaj ne program tonin e  kemi që olimpiada është lëvizëse, çdo vit mbahet në një qytet tjetër, Kosovë, Mal të Zi etj. Për këto 22 vite në garat finale kanë marrë pjesë mbi 3000 nxënës shqiptarë, që është një numër i madh, se ne 3000 matematikanë nuk mund  t’i bëjmë, por mjafton që në çdo gjeneratë të zbulohen një apo dy matematikan, që përmes revistës sonë dhe olimpiadës të nxiten që të vazhdojnë shkencën e matematikës, e cila është nëna e të gjitha shkencave”, theksoi Kasa.

Edhe kryetari i shoqatës së matematikanëve Muhi Lohaj, tha se përmes këtyre garave zbulohen talentë të matematikës. Ai theksoi se për organizime të tilla duhet të ketë më shumë përkrahje institucionale.

 “Talentët nga matematika zbulohen qysh në fillet e para, aty fillon të shprehet talenti për matematikë dhe nga këto gara hetohen këta talentë dhe më pas të bëhet një punë e shtuar me ta në mënyrë që në të ardhmen të kemi ekspert të fushës së matematikës”, u shpreh Lohaj.

Garat në nivel të Republikës do të mbahen më 19, 20 dhe 21 maj në Gjilan, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img