18,11,2024

MASHTI: SBASHK’u të mos bëjë kërkesa shantazhuese, greva dëmton nxënësit

Must Read

Javën e ardhshme është paralajmëruar grevë në sektorin e arsimit për shkak të mos kalimit të Ligjit të pagave, përmes së cilit, punëtorët e arsimit pretendojnë rritje të pagave. Ministria e Arsimit e vlerëson grevën si të dëmshme pas vështirësive me pandeminë, ndërsa i kërkojnë SBASHK-ut mirëkuptim dhe të mos bëjë kërkesa shantazhuese si ajo për 100 euro çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një intervistë për KosovaPress u shpreh se kërkohet më shumë kohë në hartimin e draftit final për Ligjin e pagave pasi duhet gjetur një formulë e pranueshme për të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë, të cilët do të përfshihen në këtë ligj.

“Këtu problemi si duket është tek pakënaqësisë e SBASHK-ut me dinamiken e hartimit të Ligjit pagave. Ne kemi pas takime në fund të muajit shkurt kur ka dalë drafti, kur ka rrjedhë, sepse nuk ka qenë draft zyrtar… Këtu nuk janë vetëm punonjësit e arsimit, janë të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë në Ligjin e pagave. Këtu duhet durim derisa të gjendet një formulë që është e pranueshme për të gjitha kategoritë, dhe besoj që shumë shpejt ne këtë Ligj të pagave do ta kemi në formë të draftit, kur do të mund të ulemi përsëri dhe ta diskutojmë me SBASHK-un. Përndryshe për çdo shqetësim, nga ana e SBASHK-ut, jemi të gatshëm për t’i diskutuar çështjet në baza ditore”, theksoi Pupovci.

Javën e kaluar, SBASHK-u dhe disa sindikata të tjera protestuan dhe një prej kërkesave ishte që shteti të japë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për paga. Mirëpo, për Pupovcin kjo kërkesë është e papranueshme dhe shantzhuese. Sipas tij, kjo sindikatë duhet të tregohet më mirëkuptuese.

“Prandaj deri në aprovimin e Ligjit të pagave, pagat do të jenë këto që janë, sepse nuk mund të ndryshohen çdo ditë. Pastaj duhet të kemi parasysh që ne përveç 80 mijë punonjësve në sektorin publik, i kemi edhe rreth 250 mijë të tjerë në sektorin privat, edhe ata janë qytetarë të Kosovës. Dhe nga ky këndvështrim, besoj që është SBASHK-u duhet të tregojë pak më shumë mirëkuptim. Duhet ta ketë parasysh se po e përfaqëson një kategori e cila është e respektuar në shoqëri, kategorinë e punëtorëve të arsimit dhe jo të shtrojë kërkesa të cilat nuk janë në përputhje me reputacionin që gëzon kjo kategori në shoqëri, siç është kjo kërkesa shantazuese për 100 euro çdo muaj deri sa të aprovohet Ligji i pagave”, shtoi Pupovci.

SBASHK-u ka paralajmëruar grevë prej datës 20 prill por për Pupovcin kjo do të dëmtonte më së shumti nxënësit. Sipas tij, një grevë, pas një periudhë dyvjeçare me vështirësitë që solli pandemia në arsim, do të dëmtonte edhe sistemin arsimor.

“Ne duhet ta dimë që greva nuk bëhet vetëm për t’i shkaktuar dëm qeverisë ose Ministrisë së Arsimit ose autoriteteve arsimore. Në radhë të parë ajo i shkakton dëm nxënësve, ne tani po i bëjmë dy vite që jemi në situatë jo aq normale, për fat të mirë muajve të fundit është normalizuar pak, por kjo periudha e pandemisë ka ndikuar shumë që të këtë humbje të thella arsimore në sistemin e arsimit, për shkak se nxënësit kanë humbur orë, mësimi ka qenë shpeshherë i çrregulluar. Dhe gjatë kësaj periudhe punonjësit e arsimit kanë qenë në nivel të detyrës të tyre. Tani një grevë pas dy vitesh, është shumë e dëmshme për nxënësit”, tha ai.

Pupovci foli edhe për vendimin e Kushtetueses që i dha të drejtë Komunës së Kamenicës në lidhje me organizimin e mësimit alternativ nga ana e MASHTI-t. Sipas tij, ata asnjëherë nuk e kanë kontestuar reformën në arsim por kërkonin zgjidhje për nxënësit që kishin muaj pa ndjekur mësime e që Komuna e Kamenicës nuk ofronte zgjidhje.

“Gjykata Kushtetuese është marrë me një çështje tjetër, është marrë me vendimin e Ministrisë për organizimin e mësimit të përshpejtuar për 441 nxënës të cilët tetë muaj nuk e kanë ndjek mësimin, për shkak se Komuna e Kamenicës nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me komunitetet e tyre dhe nuk kanë mundur të kuptohen se cilën shkollë duhet ta ndjekin mësimin ata nxënës. Ky vendim është marrë në prillin e vitit 2021, është marrë saktësisht me 23 prill, pas një serie takimesh me kryetarin e Komunës së Kamenicës, ku në asnjërin prej këtyre takimeve nuk është kontestuar riorganizimi i shkollave por është kërkuar nga kryetari i Komunës (Qëndron Kastrati) që të gjejë forma që këta fëmijë të mos e humbin vitin shkollor, sepse tetë muaj kanë qenë jashtë shkollës. Meqë nuk ka pas përgjigje pozitive atëherë ministria e ka marrë një vendim të tillë, dhe ajo që ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese është faktikisht ligjshmëria e këtij vendimi, se me këtë vendim është ndërhyrë në kompetencat e Komunës”, deklaroi Pupovci.

Pupovci shtoi se MASHTI ka në programin e saj riorganizimin e shkollave dhe pikërisht për këtë prej vitit të ardhshëm do të ketë buxhet më të lartë për transportin e nxënësve duke iu mundësuar komunave që të riorganizojnë mësimin në shkolla varësisht prej numrit të nxënësve.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img