17,11,2024

Marrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë që nuk po arrijnë të zbatohen

Must Read

>Kosova dhe Shqipëria në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ndër vite kanë nënshkruar marrëveshje të cilat kishin për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.

Këto dy shtete kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Përveç këtij protokolli bashkëpunimi, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në fusha të veçanta.

Megjithatë, marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, në veçanti në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të fushës po vlerësohet se nuk po arrijnë të zbatohen.

Janë disa marrëveshje të cilat në aspektin ekonomik synojnë të përcaktojnë drejtimet kryesore, në të cilat të dyja palët Kosova dhe Shqipëria do t’i përqendrojnë përpjekjet e përbashkëta me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të dy shteteve.

Por, barriera ekonomike e tregtare ka pasur në vazhdimësi, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha këto marrëveshje mbesin në letër, ndërsa në praktikë nuk ka përafrim të dy vendeve në aspektin ekonomik.

“Të dyja shtetet kanë dështime të shumta si në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, si në aspektin e fuqizimit të rendit dhe të ligjit, po ashtu edhe në krijimin apo funksionalizimin e ekonomive të mirëfillta të tregjeve të Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshjet dhe takimet e përbashkëta ndërmjet qeverive sikur bëhen për të mbuluar të gjitha dështimet që qeveritë në të dy shtetet e tyre përkatëse kanë”, thekson Zeka.

Ai shton se nëse analizohen marrëveshjet e bëra në takimin e fundit të dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë, një pjesë e këtyre marrëveshjeve janë të përsëritura nga takimet paraprake.

“Është hera e dytë apo e tretë që bëhen marrëveshje për njohjen reciproke të dokumenteve të ndryshme, po ashtu marrëveshja për krijimin e një pike të përbashkët të kontrollit doganor është marrëveshje e përsëritur. Arsyeja pse nuk ka zbatim të këtyre marrëveshjeve qëndron në nivelet teknike kur këto marrëveshje duhet të operacionalizohen nga nivelet teknike e që nuk ndodh ndërmjet dy shteteve”, thotë Zeka.

Vendosjes e taksës rrugore në autostradën “Rruga e Kombit”, nga përfaqësuesit e biznesit konsiderohen një barrierë për bizneset kosovare. Në shtator të këtij viti, autoritetet shqiptare vendosën që autostrada “Rruga e Kombit” në pjesën e Shqipërisë, e cila është e gjatë 114 kilometra, të bëhet me pagesë.

Automjetet, varësisht nga pesha, për një drejtim paguajnë nga 5 euro deri në 22.5 euro.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se praktikat e deritanishme kanë treguar që marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë pasur më shumë karakter publicitar se sa veprime konkrete.

Prodhuesit nga Kosova, shton Gashi më lehtë kanë eksportuar produktet e tyre në Zvicër sesa në Shqipëri. Sipas tij, barrierat që ka vendosur Shqipëria ndaj prodhimeve kosovare kanë qenë pothuajse të pakalueshme.

“Sa i përket marrëveshjeve deri më tani nuk kemi parë veprime konkrete të përafrimit ekonomik. Ambienti ekonomik në Shqipëri nuk është i favorshëm për investitorët nga Kosova. Ka pasur dhjetëra përpjekje të bizneseve kosovare që të depërtojnë në tregun shqiptar, por fatkeqësisht ato janë simbolike. Kryesisht janë disa biznese në fushën e teknologjisë së informacionit të cilat fillimisht kanë pasur një shtrirje në tregun e Shqipërisë, por ato ose kanë ulur veprimtarinë e tyre ose janë tërhequr”, thekson Gashi.

Barrierat tregtare, shton Gashi, në vazhdimësi vijnë nga Shqipëria. Sipas Gashit, qeveria e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama është një qeveri me deklarata të mëdha patriotike, por që në aspektin praktik nuk bëhet asgjë për jetësimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

“Ne jemi dëshmitar kur Shqipëria ka bllokuar shitjen e patateve dhe produkteve bujqësorë të Kosovës. Certifikatat e origjinës së mallit në veçanti ato të cilësisë që merren në Kosovë deri më tani ka pasur probleme që të njihen nag autoritetet e shqiptare dhe është dashur një dyfishim i kostos së prodhimeve kosovare që të depërtojnë në tregun shqiptar. Mendoj që në vend të deklaratave patriotike duhet të kalohet në veprime konkrete të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë”, thotë Gashi.

Ndryshe, për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore.

Por, shkëmbimet tregtare ndërmjet këtyre dy shteteve vazhdojnë të mbesin të ulëta. Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit të produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria, në vit kapin vlerën e rreth 100 milionë euro, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri është rreth 15 milionë euro.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img