Ferizaj

Marrëveshje Bashkëpunimi mes UShAF dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup

By FerizajPress

July 13, 2017

Një delegacion i përbërë nga rektorë të katër universiteteve publike të Kosovës ka qëndruar për vizitë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, me ç’rast Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, kanë lidhur Marrëveshje Bashkëpunimi me këtë Universitet.

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj, rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza dhe rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Alush Musaj, fillimisht janë pritur nga rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Aziz Pollozhani.

Në këtë takim, ndër të tjera është biseduar edhe për organizimin e dy konferencave të përbashkëta shkencore, të cilat do të organizohen në muajt tetor dhe nëntor në Shkup.

Rektori Pollozhani falënderoi rektorët nga Kosova për mbështetjen që i kanë dhënë deri tani Universitetit “Nënë Tereza” si universitet i ri, sidomos me staf akademik, por edhe për vullnetin që po tregojnë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Ndërsa, rektori Bajraktari, theksoi se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje vendosen në kuadër ligjor të gjitha mundësitë e mobilitetit mes dy Universiteteve, ndërkaq si përparësi përmendi edhe distancën e afërt gjeografike mes Ferizajt dhe Shkupit.

Rektori i UShAF theksoi po ashtu se, bashkëpunimi do të mbështetet në realizmin e projekteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare, organizimin e konferencave shkencore dhe në të gjitha sferat për të cilat do të kemi nevojë në të ardhmen.

Duke qenë se Universiteti “Nënë Tereza” është themeluar në dhjetor të vitit 2015, rektori Bajraktari shprehu gatishmërinë që UShAF të ndihmojë këtë universitet me profesorë, të cilët janë të nevojshëm për realizimin e studimeve të akredituara, ndërsa theksoi se si universitet i themeluar vetëm dy vite më parë, UShAF e di se çfarë do të thotë “një dorë e shtrirë ndihme”.

Me dy universitetet tjera: Universitetin “Femi Agani” në Gjakovë dhe Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universiteti “Nënë Tereza” ka nënshkruar marrëveshje të tilla pak kohë më parë.