Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari ka pritur në takim rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, z. Bari Musabelliu me delegacion, ku te dyja palët u shprehën të gatshëm që të fillojnë bashkëpunimin në fushën e Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
Marrëveshja u nënshkrua në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, dhe të dy rektorët u pajtuan që të fillojnë shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve qysh në muajin prill të këtij viti.
Rektori Bajraktari, gjatë takimit foli për sfidat dhe të arriturat e Universitetit dhe për studentët të cilët kanë filluar që të tregohen të suksesshëm në tregun e punës.
“Ndihem shumë me fat që studentët do të kenë mundësinë që të marrin nga përvoja e Universitetit Bujqësor të Tiranës, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë dhe 5 nga profesorët e USHAF-it’’, tha rektori Bajraktari.
Ndërsa rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, z. Bari Musabelliu uroi rektorin Bajraktari për të arriturat e USHAF-it dhe tha se të dyja Universitetet do të punojnë së bashku dhe do të ndihmojnë njëri – tjetrin, në mënyrë që të përfitojnë studentët dhe stafi akademik.
Pjesë e delegacionit të Universitetit Bujqësor të Tiranës ishin, z. Remzi Keco – zëvendësrektor për mësim, z. Leonidha Peri – Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore dhe profesori z. Arben Bejtja.