Sport

“Maratonomaku” Amir Abrashi, 331 km në 28 ndeshje

By FerizajPress

April 19, 2016

Amir Abrashi është kthyer në një nga lojtarët më të spikatur të Bundesligës 2 dhe për të kuptuar pse, mjafton të shohësh statistikat e tij sezonale me fanellën e Fraiburgut.

Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga “Bild”, mesfushori shqiptar është futbollisti që ka vrapuar më shumë në këtë edicion, duke përshkruar 331 kilometra në 28 ndeshjet e luajtura.

Gazeta e njohur gjermane i ka marrë një intervistë futbollistit shqiptar, duke kërkuar “burimin e energjisë” që e ka ndihmuar të spikatë në Bundesligën 2 dhe të bëhet menjëherë një nga emrat më të njohur në këtë kampionat.

“Ka të bëjë me mentalitetin tim. Babai im më ka mësuar që nuk duhet të dorëzohesh kurrë. Ai erdhi nga Kosova në Zvicër me tri vajza të vogla dhe arriti të krijonte diçka nga e para aty”, deklaroi ai.

Vendimi i Abrashit për t’u larguar nga Grasshoper ku ishte një nga lojtarët më të vlerësuar, për të shkuar te Fraiburgu në Bundesligën 2, duket se ka qenë i duhuri, pasi klubi i tij është në pozita shumë të favorshme për ngjitjen në Bundesligë.

Por ngjitja në Bundesligë nuk do të jetë ngjarja kryesore futbollistike e këtij viti për Abrashin, i cili është një titullar i paprekshëm në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit.

“Ëndrra ime është të shkoj në Francë si një futbollist që sapo ka siguruar ngjitjen në Bundesligë!”, tha Abrashi, duke përsëritur arsyen pse që nga viti 2013 zgjodhi të vishte fanellën kuqezi.

“Pasi nuk u kualifikuam me U-21 të Zvicrës në Euro 2013, Federata Shqiptare e Futbollit më kontaktoi. Otmar Hitzfeld më dëshironte gjithashtu dhe ishte ende i pavendosur, por unë zgjodha Shqipërinë. Ky ka qenë një nga hapat më të mirë që kam hedhur në karrierën time”, tha futbollisti 26-vjeçar.

/ Top Channel