Në historinë tonë kombëtare kemi heronjë, tradhtarë dhe… “dajën pacifist” që është një kategori më vete.
Në vitet ’80, “daja pacifist” pa e menduar hiç fare, vuajti disa javë burg, për çështje kombëtare.
Pas daljes, kuptoi se sakrifica është sport i rrezikshëm dhe vendosi të jep dorëheqje nga patriotizmi dhe iku në Zvicër, ku fronti më i rrezikshëm në shërbim të atdheut ishte tavolina e shahut në klubin e mërgimtarëve dhe diskursi i pafund mbi “kombin”, gjithmonë nga distanca e sigurt.
Kur nisi lufta e lirisë në Kosovë, pas një kohe “daja pacifist” nisi një udhëtim të guximshëm “patriotik”, nga Zvicra deri në Durrës.
Qëndroi aty një muaj tek vëllezërit e gruas që ishin refugjatë atje, duke pritur që lufta të zhvendosej në plazh. Për fatin e tij të keq, fronti ishte kokëfortë dhe qëndronte në Kosovë, nuk shkonte asesi në plazh. Prandaj, ky u kthye në Zvicër pa e parë as oborrin e shtëpisë në Kosovë, e lëre më ta mbrojë atë.
Me të mbaruar lufta, daja pacifist u bë “profeti i moralit kombëtar”. Filloi të kritikonte e fyente ushtarët e UÇK-së.
Në diskursin e tij, dallimi mes komandantëve të UÇK-së dhe Sllobodan Millosheviqit ishte një detaj i vogël – të dy ishin goxha njësoj, sepse, të dy kishin vrarë patriotë shqiptarë.
Për ironi: djali i tij, një talent i lindur, dikur kishte nevojë për “ndihmë”. daja pacifist e parimor i përbetuar, përdori lidhjet e vjetra dhe ato familjare për t’i siguruar dokumente të rreme për shkollim në Kosovë, pastaj edhe për studime, duke trokitur pikërisht tek një komandant zone të UÇK-së, për privilegje shkollimi. Ndërkohë që, e gjithë kjo, në kohën kur nëpër tavolina çaji e shahu, me gojën e tij akuzonte komandantët e UÇK-së për korrupsion e favore. Sigurisht, korrupsioni është i keq vetëm kur nuk përfiton vetë. Nejse…
Dikur vonë, LDK hyri në koalicion me PDK, kritikat e tij disi si u pakësuan. Nuk kishte më treg për “patriotizmëm LDK-ist”. Shumë shpejt daja pacifist bëri transplant politik dhe kaloi në Vetëvendosje.
E mbaj mend kur në fillimet e LVV, në vitet 2005–2009, kur si i ri shkruaja grafite, protestoja dhe përplasesha me policinë. Në atë kohë, daja pacifist më kritikonte duke thënë se “Vetëvendosjen e ka krijuar SHIK-u” dhe se unë isha i manipuluar.
Sot, ironikisht, ai është më VV-ist se unë. Një strehë e re për një oportunist të vjetër. Ai shfaqet kudo ku fishkëllimat kundër UÇK-së mund të riciklohen si patriotizëm modern. Por daja pacifist nuk është i vetëm: është pjesë e një klase më të gjerë frikacakësh modernë, që nuk kanë bërë kurrë sakrificë, por sot duan të duken si autorë të historisë.
Kulmi i komedisë: në dy kohë të ndryshme, dy familjarë të dajës pacifist u angazhuan politikisht dhe kandiduan për asamblistë në kuvendin e Ferizajt, secili në partinë e vetë. Daja im pacifist, me plot zell, shpjegonte pse nuk do t’i votonte – gjoja për arsye parimore, por në të vërtetë, e gjithë arsyeja ishte një lojë fjalësh: çdo gjë që lidhej me krahun e luftës, për të ishte e papranueshme.
Sot, ironi e fatit: ky njeri ka vendosur vetë të kandidojë për asamblist në kuvendin e Ferizajt nga radhët e LVV dhe kërkon pikërisht votat e atyre që dikur i përçmonte. Nga mohues i votës u bë lypës i saj, në të njëjtat dyer ku dikur bënte moral.
Sa turp.
Në fjalorin e tij, “parim” është një fjalë ekzotike.
Ky është daja pacifit: një burrë që guximin e ka harruar diku mes kufirit të Kosovës dhe aeroportit të Zyrihut, por që mendon se, historia mund të shkruhet vetëm me fjalë të mëdha.
Nëse ndonjëherë do të botohet “Manuali i Frikacakut Modern”, fotografia e tij do t’i jipte kuptim kopertinës.