24,11,2024

“Mafia e betonit” – vijon beteja 65 mijë euroshe e biznesmenit Grainca me Dimal Bashën

Must Read


Një betejë ligjore ndërmjet Dimal Bashës, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mustafa Graincës, një biznesmeni të ndërtimit, do të vijojë në Gjykatën e Ferizajt. Grainca kërkon nga Basha 65 mijë euro dëmshpërblim për shpifje.

Deputeti Dimal Basha mund t’i humbë 65 mijë euro në rast se nuk arrin të vërtetojë akuzat e tij kundër Mustafa Graincës.

Kontesti mes Graincës, një biznesmeni të ndërtimit, me deputetin Dimal Basha është rikthyer për gjykim në shkallën e parë të gjykatës.

Gjykata Supreme ka rrëzuar dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë paditësit.

Grainca ka ushtruar padi për shpifje kundrejt Bashës, me kërkesë për kompensimin e dëmeve që pretendon se i ka shkaktuar, raporton Paparaci. Afaristi kërkon 65 mijë euro dëmshpërblim në formë kompensimi nga deputeti i LVV-së.

Basha, në një deklarim publik, e kishte akuzuar Graincën për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimit në Komunën e Ferizajt. Deputeti, e kishte quajtur “mafi të betonit” veprimtarinë e Graincës.

Gjykata Supreme, në një aktvendim të nxjerrë të enjten, shkatërroi aktgjykimet e dy shkallëve të para dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

“Pranohet si i bazuar revizion i paditësit ,PRISHEN aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës Acnr, 444/21 i datës 10. 2021, dhe ai i Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departament Përgjithshëm, C nr 808/19, të datës 16 12 2020, dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në vendosje”, thuhet në aktvendimin e Supremes
Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar mediumi online Paparaci, Gjykata Supreme vlerëson se Gjykata Themelore në Ferizaj “duhet të vendosë lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”.

“Meqenëse paditësi me datën 24.12.2020 ka paguar taksën shtesë për padi, gjykata e shkallës së parë pas administrimit të provave të propozuara dhe vlerësimit të tyre duhet të vendos lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”, thuhet në aktgjykim.

Në një atkvendim të 10 shkurtit të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore që e cilësonte si të “tërhequr padinë e paditësit [Mustafa Grainca, v.j] kundër të paditurit Dimal Basha”.

Sipas aktvendimit fillestar të Gjykatës Themelore, me konsiderimin e padisë si të tërhequr, deputeti Basha kishte paditur Graincën që të paguajë shpenzimet e procedurës civile.
“[…] ndërsa në pikën II e ka detyruar paditësin që të padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 1.558.00 Euro, brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në aktvendim.

Grainca është një afarist në fushën e ndërtimit. Ai është pronar i “IDEA Invest” Sh.P.K., e cila është themeluar më 2015. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania figuron të ketë aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.

Më parë, ai ka qenë i përfshirë në Partinë Demokratike të Kosovës. Ka ushtruar për më shumë se një vit funksionin e zv/ministrit të Financave.

Ndërkaq, Dimal Basha, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, është duke shërbyer në legjislaturën e dytë në funksionin e ligjvënësit. Ai, është pjesë e Qendrës së LVV-së në Ferizaj. /Paparaci.com

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img