Në një konferencë për media Lëvizja Vetëvendosje shpërndarjen e herbicideve për kultivuesit e grurit e ka quajtur një spektakël mediatik i radhës.
Fazli Shabani, nga Nënkomiteti për Bujqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Pritja në rend me orë të tëra e fermerëve ferizajas për një shumë qesharake prej 10 eurosh për hektar tregon më së miri se në çfarë gjendje është bujqësia në Ferizaj.
Deklaratën e plotë dhënë në këtë konferencë nga Fazli Shabani, nga Nënkomiteti për Bujqësi i Lëvizjes Vetëvendosje mund ta lexoni të plotë në vazhdim:
Shpërndarja e herbicideve nga Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj për kultivuesit e grurit, nëpërmjet një “spektakli mediatik”, më shumë shifet si përpjekje për të kamufluar dështimet e këtij pushteti dhe shkatërrimin e bujqësisë në tërësi se sa për të ndihmur realisht fermerët.
Grumbullimi i 452 fermerëve në një vend për t’ju ndarë herbicide me një vlerë të përgjithshme prej 19 mijë eurosh e për ti subvencionuar ata për 18 mijë hektarë grurë të sjellë në mendje poemën e mjerimit.
Sa për të treguar dhe argumentuar se si malltretohen fermeret ferizajas nga Drejtoria e Bujqësisë, duhet cekur se vlera mesatare që fermerët përfituan nga ky subvencionim është 42 euro për fermer ose 10.5 euro për hektar. Çuditërisht, këto skena mjerimi dhe këto shuma qesharake pa fije turpi nxirren para mediave e madje sipas logjikës së injorantëve tentohet të përfitohet politikisht nga to!
Gjirimet dhe fotot e arenës së lojës së pisët që pushtetit lokal po luan me fermerët ferizajas e që u shfaqën mediatikisht të kujtojnë skenat e tmerrshme të shpërndarjes së ndihmave nga organizatat humanitare në kohët më të vështira të popullit tonë.
Pritja në rend me orë të tëra e fermerëve ferizajas për një shumë qesharake prej 10 eurosh për hektar tregon më së miri se në çfarë gjendje është bujqësia në Ferizaj.
Vajtimi me “lot krokodilli” i z Vranovci në lidhje me limitet buxhetore të drejtorisë së tij nuk e shfajësojnë atë dhe shefin e tij, ato vetëm se na rikujtojnë tradhtinë e z Sfarqa ndaj fermerëve të cilëve ju premtoi përkrahje dhe buxhet mbi 3 milion euro e që në realitet e uli atë në vetëm 260 mijë euro ose në 1% të buxhetit të përgjithshëm të komunës.
Për më tepër, Drejtoria e Bujqësisë në rolin e një nëndege të LDK-së e hutuar totalisht pas votave e duke menduar që tani vetëm për zgjedhjet e ardhshme ka harruar obligimet e saj ndaj qytetarëve.
Skandalet në këtë drejtori nuk kanë të ndalur!
Shkatërrimi i pyjeve si asnjëherë më parë e që po përcillet me skandale korruptive!
Shpërndarja e lopëve pa asnjë vlerë racore e me çmime dyfish më të larta se vlera reale e tyre në treg e që si tender gjithashtu është përcjellur me afera korruptive!Menaxhimi i qenve endacak, vaksinimi i qenve dhe macave kundër tërbimit janë shumë të rëndësishme për shëndetin publik e si projekte janë larguar nga planet e kësaj drejtorie!?
Gjendja e mjerueshme e tregut të bylmetit e cila paraqet edhe rrezik për shëndetin e qytetarëve të cilët furnizohen në atë treg!
Ankesat e mishtoreve për marrje ryshfeti nga drejtoria e juaj e për të cilat edhe janë ankuar tek ju dhe kryetari!
Humbja e donatorëve egzistues si dhe shterpësia për të gjetur donator të ri, janë e metë dhe paaftësi e juaja!
Këto janë vetëm disa nga keqmenaxhimet e skandalet e juja që i dimë ne, ju dhe gjithë qytetarët.
Ju me të vërtetë na sollët gjendje të mjerueshme! Por akoma ka shpresë për të dalur nga kjo gjendje e shpresa është që ju sa më parë të ikni dhe kurrë më të mos ktheheni në pushtet. Fatmirësisht kjo ditë po afrohet, dita e shpresës, dita e votimit.