Nuk mbahet në histori të ekzistimit të klubit të hendbollit Kastrioti të Ferizajt (meshkujt), që kanë pasur krizë më të madhe apo që janë turpëruar më shumë se tash, ku lojtarët janë në bojkot dhe u desh që me vetëm shtatë lojtarë juniorë të luajnë kundër Trepçës në Ferizaj, pa asnjë lojtar në bankë.
Kastrioti e humb ndeshjen me rezultat 25:48, por pak ka rëndësi humbja se sa turpi që nuk kishin lojtarë as në bankë. Lulzim Shabani, hendbollist i Kastriotit, njëherësh edhe reprezentues, tregon për momentet e vështira që po e përjeton klubi.
“Është tmerruese fakti që një klub me renome si KH Kastrioti gjendet në periudhën më të errët që ka kaluar ndonjëherë.
Mjetet financiare, mungesa e pajisjeve elementare që duhet të ketë një klub, mungesa e trajnerit, mungesa e kryetarit dhe mos paraqitja e mos kthimi i përgjigjes së anëtarëve të kryesisë të klubit, janë disa prej shume faktorëve pse ky klub është duke kaluar nëpër këtë fazë.
Kastrioti ndeshjen e fundit kundër Trepçës e ka zhvilluar me junior si pasojë e shumë problemeve që janë duke ndodhur në klub ku edhe ne si lojtar që kemi pasur barrën kryesore në klub kemi hyrë në bojkot gjë të cilën e kemi bërë jo me vullnet dhe dëshirë.
Të gjithë lojtarët kemi pasur marrëveshje të caktuara me ish-kryetarin e fundit të klubit ku prej kohës që është dorëhequr nuk kemi pasur adresë apo derë ku të trokasim pasi të gjithë anëtarët e tjerë të kryesisë nuk na u kanë përgjigjur në thirrjet tona por prapëseprapë kemi vazhduar duke menduar se është momentale dhe do të kaloj se shpejti por që fatkeqësisht ka vazhduar dhe ka ardhur deri në këtë pikë.
Pas një sezone shumë të suksesshme që kemi pasur vitin e kaluar ku njëri prej sukseseve është edhe sjellja e Kupës së Kosovës në qytet pas 10 vitesh ne si lojtar kemi pasur ambicie e dëshirë edhe më të madhe për punë në këtë sezon por që fatkeqësisht u dëshpëruam qysh në fillim
Ne si lojtar tani për tani kemi mbetur me shpresën e vetme që kemi në kryetarin e komunës z. Agim Aliun ku shpresojmë shumë që do të gjej një zgjidhje të këtij problemi dhe të vazhdojmë përsëri me synimet e vërteta që KH Kastrioti ka pasur gjithmonë”, thotë Shabani për Ferizajpress.