Tashmë është tradicionale që sportistët kulminant ferizajas të shpërblehen e dekorohen për arritjet e tyre vjetore. Edhe këtë vit, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën përkujdesjen e të parit të Ferizajt, Agim Aliu organizoi ngjarjen vjetore sportive të shpalljes së “Sportistit të Vitit”.
Më meritori për vitin 2019, ndër sportistët ferizajas që u dekorua me këtë titull, u zgjodh Lulzim Shabani nga Klubi i Hendbollit “Kastrioti”, kurse top dhjetshën e sportistëve më të suksesshëm ferizajas gjatë 2019-tës, bazuar në vlerësimet e komisionit përkatës profesional e përbëjnë: Xhevat Asllani nga KB “Kristal”, Heset Arapi KV “Luboteni”, Festim Mustafa KH “Kastrioti”, Butrin Bytyqi KV “Ferizaj”, Blerton Nuha nga Klubi i Çiklizmit “Kastrioti”, Leutrim Bytyqi – Autoklub Ferizaj, Loresa Avdyli KVF “Ferizaj”, Altin Maloku Klubi i Karatesë “Sharri”, Artan Ismajli – alpinist, Dardan Çerkini – futbollist.
Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë tjerë në disiplina të ndryshme si dhe kontributdhënësit për sportin ferizajas.
Ishte drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, bashkë me drejtorë tjerë komunal dhe kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në mesin e qindra veteranëve të sportit, talentëve të rinj e sportdashësve, që ndanë këtë dekoratë dhe mirënjohjet tjera.
E para e kulturës, rinisë dhe sportit në Ferizaj, Xhemile Murati Shabani me këtë rast tha se qeverisja Aliu ka qenë e pakursyer në mbështetje të sportistëve e klubeve sportive ferizajase, qasje që do të intensifikohet e zgjerohet edhe më tutje me qëllim avancimin e sportit lokal.













