07,05,2024

Lulzim Aliu tregon arsyet e dorëheqjes nga Kuvendi Komunal

Must Read

Pak para përfundimit të mandatit 4 vjeçar si këshilltar i Kuvendit Komunal, Lulzim Aliu, nuk duroi më shumë. Prej sot ai nuk është më këshilltar i këtij Kuvendi. Këtë dorëheqje ai e arsyeton me shkeljet ligjore që ka bërë qeverisja Svarqa, por të cilat janë përkrahur edhe nga Qeveria e Kosovës. Aliu tha se nuk mund të vazhdonte më punën si këshilltar komunal për t’u dhënë vulë veprimeve të paligjshme të qeverisë lokale dhe të Kuvendit Komunal.

“Ky veprim i imi është pikërisht kundër faktit që Qeveria e Kosovës, përmes MAPL-së ka dhënë vulën e qeverisë që ky kryetar dhe kjo qeveri të mos e qajnë kokën fare për ligjet, për kushtetutën dhe të mos brengoset fare për këtë shtet. Është një zë më i lartë sesa zëri në komunë si anëtar i Kuvendit, që faktikisht shumë herë ka qenë i papërfillshëm. Është një veprim për të mbrojtur interesat e qytetarëve, për të mbrojtur vendin tim. Vendimi nuk lidhet me kohën, është një situatë në të cilën jeni  dëshmitarë të gjithë, sidomos nga seanca e kaluar kur është kulmimi i të gjitha shkeljeve të mundeshme që mundet me i bë një kryetar komune. Prej fillimit ka qenë një kuvend i shantazhuar dhe i fyer. Ky nuk është dorëzim e as ndalim i betejës dhe luftës që ne si parti do ta bëjmë për të mirat e këtij qyteti”, tha Aliu.

Lulzim Aliu nuk mendon se me këtë veprim i ka tradhëtuar votuesit e tij. Ai madje konsideron se ka bërë gjënë e duhur për të dhënë mesazh tek institucionet e vendit dhe partitë politike që këshilltarët komunal nuk janë vegla për t’i dirigjuar. Për më shumë, Lulzim Aliu këtë dorëheqje e konsideron porosi edhe për partinë e tij. Thotë hapur se ka pakënaqësi edhe për PDK-në.

“Zëri i kuvendarit të Ferizajt ka qenë gjithmonë i pandëgjueshëm, ka qenë i papërfillshëm, jo vetëm nga pushteti lokal por edhe nga ai qendror. Këtu nuk shfajësohet  as PDK ja. Ju e dini që unë jam transparent, zëri im ka qenë gjithmonë protestues, reagues ka qenë për të mirën e të gjithëve. Ndoshta në këtë çështje fokusi im ka qenë pikërisht tek PDK-ja. Interesi ynë është që PDK-ja ta shfaq rolin që e ka”, theksoi Aliu.

E për t’i ardhur në maje të hundës Lulzim Aliut, ishte fyerja që i kishte bërë kryetari Svarqa këshilltares nga PDK-ja Kristina Gashit-Bytyqit.

“Ky ka qenë kulmi, kur kryetari Svarqa fyen këshilltarën. Por çfarë të them ai nuk është formuar tash, këtë sjellje e ka pasur që nga filimi, por ne si subjekt politik do ta mbajmë një tjetër aktivitet pikërisht për ta shfaqur karakterin e këtij lideri lokal”, tha Aliu.

Ndryshe në pyetjet e gazetarëve se a ka ambicie Lulzim Aliu për të kandiduar për kryetar komune, ai e mohoi këtë gjë. Tha se tash për tash obligimet politike do t’i kryej nga pozita e nënkryetarit të partisë si dhe këshilltarit të Hajredin Kuçit.

Sido që të jetë, një Lulzim po shkon, e një tjetër po vjen. Në vend të Aliut këshilltar komunal vie Lulzim Abazi.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Faton Xhakli zgjedhet selektor i Kombëtarës së Kosovës në Boks

Trajneri i mirënjohur ferizajas Faton Xhakli në mbledhje e fundit të bordit të Federatës së Boksit është zgjedhur selektor...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img