19,11,2024

LUFTA E UÇK-së ËSHTË E PASTËR DHE E DREJTË

Must Read

Shkruan: Alben Eshrefi

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është institucioni i vetëm politiko-ushtarak i formuar nga populli shqiptar që me luftën e saj të drejtë e të pastër përfundimisht jetësoi kauzën dhe angazhimin kombëtar të të gjitha brezave dhe lëvizjeve kombëtare që kishin për qëllim çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të grumbulluar nga të gjitha viset shqiptare, kishin një qëllim të vetëm: Të luftonin deri në vetëflijim për çlirimin e plotë të Kosovës nga Serbia.

UÇK-ja fillimisht arriti të lartësojë ndërgjegjen kombëtare në nivelin e përgjegjësisë historike, organizoi njësitë e para guerile dhe filloi aksionet e armatosura kundër policisë serbe, më tej, pas rënies heroike e të lavdishme të Adem Jasharit dhe familjes së tij, UÇK-ja u rrit me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe u shtri pothuajse anembanë Kosovës, çliroi zona të tëra, krijoi bazat e veta strategjike, u armatos, krijoi strukturën e saj dhe përgatiti qendrat e stërvitjes duke synuar të zhvillohet duke ndjekur modelin e doktrinave të ushtrive bashkëkohore.

Institucioni i popullit shqiptar të Kosovës, UÇK-ja përgjatë verës së vitit 1998 u njoh nga SHBA-ja dhe, më pas nga Evropa, që mëpastaj u konkretizua me Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën, kur UÇK-ja u njoh ndërkombëtarisht dhe mori rolin prijës bashkarisht me gjithë përfaqësuesit tjerë shqiptarë pjesëmarrës në këtë konferencë.

Në fundin e verës së vitit 1998, UÇK-ja mori goditjen më të rëndë nga policia dhe ushtria serbe me qëllim të asgjësimit të saj të plotë, përkundër kësaj goditje tejet të fortë e mirë të planifikuar dhe organizuar, UÇK-ja u riorganizua shumë shpejt me formacione më të mëdha dhe doli edhe më e fortë se më parë.
Përfundimisht pas gjithë luftës dhe vargut të gjatë të betejave të pastërta e të drejta të UÇK-së të zhvilluara anembanë vendit nga populli shqiptar, e bindën botën liridashëshe dhe demokratike të udhëhequra nga SHBA-të të ndodhë intervenimi i NATO-s mbi caqet serbe që pa dyshim shënon mbështetjen më humane për popullin tonë dhe mundësoi UÇK-së të bashkërendojë me sulmet ajrore të NATO-s, gjithsesi se ky akt civilizues shpejtoi dhe mundësoi çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë.

Strategjia dhe përcaktimi politik e ushtarak i UÇK-së qe ndërtuar bashkarisht me miqtë ndërkombëtar të Kosovës, ajo bazohej në parimet universale të dokumenteve dhe konventave ndërkombëtare që rregullojnë normat e luftës dhe të drejtat e njeriut në kohë lufte, UÇK-ja kishte zbatuar me përpikëri dhe përgjegjësi këto norma, nuk kishte bërë gjenocid, nuk dëbonte e përndjekte etni të tjera jo shqiptare nga vendi, nuk kishte shfarosur, burgosur paligjshëm e torturuar, nuk vriste gra, fëmijë e njerëz të moshuar, civilë të paarmatosur, të burgosurit dhe robërit e luftës i trajtonte me humanizëm dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të luftës, nuk kishte dhunuar seksualisht gra, nuk digjte shtëpi, nuk plaçkiste pasuritë e popullatës, sikurse kishte bërë Serbia ndaj shqiptarëve dhe etnive tjera joserbe (Jusuf Buxhovi do të mund të kontribonte dhe do të ishte e udhës të kontribonte në argumentimin dhe ofrimin e fakteve për ndëshkimin e Serbise per krimet dhe gjenocidin serb të kryer ndaj shqiptarëve në vitet e luftës në Kosovë).

Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet, ndërtimi dhe forcimi i shtetit dhe paqes i takon dhe është përgjegjësi qytetare, intelektuale e atdhetare e secilit shtetas/e të moshës madhore të Republikës së Kosovës, duke dhënë kontributin qytetar, profesional e politik e publik nga secila pozitë e tyre, megjithëse si shoqëri jemi përcaktuar për pluralizëm dhe demokraci, jemi vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, andaj, është e papranueshme që për pushtet e për interesa të caktuara e të ulëta politike dhe për llogari të skenës politike e të qarqeve të ndryshme të atakohen vlerat e shenjta e sublime të popullit shqiptar, siç ngjau ditë më parë duke e sulmuar dhe kualifikuar luftën e UÇK-së me epitetet nga më të padrejtat, më të paqëndrueshmet (lexo: nga Jusuf Buxhovi) e të cilat janë në një linjë me diskursin e përdorur politik e diplomatik nga kundërshtarët e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Mirëpo kjo do të ngjajë edhe më tej për interesa të caktuara politike derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të nxjerrin dhe miratojnë ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lavdi gjithë brezave dhe dëshmorëve të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Mirënjohje dhe përulje e përjetësishme për të gjitha vendeve mike që mbështetën vendin tonë!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img