Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj zyrtarit policor Sovran Marevci, i akuzuar se kanosi me armë zyrtare një qytetar.
Aktgjykimi ndaj Marevcit u shpall të hënën nga gjykatësi Habib Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Marevci lirohet nga të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa i dëmtuari Çlirim Ahmeti për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohen në kontest civil.
Sipas aktakuzës, më 3 gusht 2021, rreth orës 23:30, në Ferizaj, rrugën “Rexhep Bislimi”, saktësisht në tarracën e lokalit “MR Burger”, i pandehuri me dashje e kishte kanosur seriozisht të dëmtuarin Çlirim Ahmeti duke ia drejtuar armën zyrtare, në atë mënyrë që derisa i pandehuri kishte qenë duke ngrënë ushqim së bashku me dëshmitarin Drilon Rexha, i dëmtuari i ishte drejtuar me fjalët “ju bëfte mirë” dhe kishte vazhduar drejt shankut.
Kurse thuhet se i pandehuri e kishte thirrë te tavolina dhe iu kishte drejtuar me fjalët “çka po më shikon” dhe menjëherë nga çanta e krahut kishte nxjerrë armën zyrtare dhe ia kishte drejtuar në trup, e kishte kap për bluze dhe pastaj kishte filluar ta shtyjë prapa derisa dalin në rrugë, pastaj kishte vazhduar ta ndjek pas me armë në dorë derisa i dëmtuari kishte arritur të largohet, duke i shkaktuar të dëmtuarit frikë dhe ankth.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par. 4 lidhur me par. 1 sipas Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës.