22,08,2025

Linja hekurudhore Fushë Kosovë-Ferizaj e gatshme për qarkullim

Must Read

Nga sot e tutje linja hekurudhore Fushë Kosovë – Ferizaj mund të përdoret për transportin e qytetarëve dhe të mallrave. Pas pesë vitesh, Infrakos bëri testimin e kësaj linje, pavarësisht se ende nuk është bërë sinjalizimi përgjatë saj. Tani e tutje këta binarë mund të përdoren për transportin e qytetarëve dhe të mallrave.

“Është bërë instalimi i binarëve, janë bërë të gjitha. Do të shkojmë me një shpejtësi të kufizuar për shkak të mungesës së instalimit me 60 km në orë nga stacioni në Miradi deri në Bablak”, tha Nexhmi Rama, kryesues i njësisë për implementimin e projektit.

Gjatë rrugës, ekipet e Infrakosit qëndruan në kontakt me njëra-tjetrën, në mënyrë që transporti të jetë i sigurt. Kjo linjë hekurudhore shënon lidhje më të shpejtë dhe më të lehtë ndërmjet Fushë Kosovës e Ferizajt.

Ndërmjet Fushë Kosovës dhe Ferizajt janë tre vendndalime dhe 3 stacione për udhëtarët, njëri nga to është në Lipjan.

Për rëndësinë e projektit foli kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Naser Krasniqi.

“Ky segment është plotësisht funksional dhe nga sot është i hapur për të operuar për operatorët hekurudhor me shpejtësi lëvizëse deri në 60 km. Në hapin e radhës ky projekt do të përmbyllet me instalimin e sinjalistikës bashkëkohore që do të mundësojë rritjen e shpejtësisë deri në 120 km në orë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se këtë vit pritet të bëhet edhe testimi i linjës hekurudhore për Mitrovicë.

“Po ashtu është bërë montimi i 86 km të linjës së re, përfshirë ndërtimin e 3 shtresave të trasesë hekurudhore duke lënë edhe vetëm 6 km deri në Mitrovicë”, nënvizoi Krasniqi.

Nga Infrakos thanë se janë duke punuar në modernizimin e rrjetit hekurudhor në vend duke e nxitur kështu zhvillimin ekonomik dhe duke kontribuuar në integrimin e Kosovës në rrjetet rajonale dhe  evropiane të transportit.

Aktualisht për transportin në linjën hekurudhore Fushë-Kosovë-Ferizaj janë të licencuar vetëm dy operatorë. Edhe pse hekurudha është gati për qarkullim, varet nga operatorët se kur do të nisin transportin në të. 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj – Reagim i KRU “Bifurkacioni” pas publikimeve në rrjetet sociale

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” SH.A në Ferizaj ka reaguar pas publikimeve në rrjete sociale, ku përmes disa pamjeve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img