Përmes kësaj letre, Leskaj kërkon që KiE të reagojë për ndalimin e Haradinajt nga autoritetet franceze.
Letra e plotë:
I dashur President,
Kam kënaqësinë e veçantë që t’ju dërgoj sërish urimet e mia më të mira për Vitin e Ri 2017!
Nisur nga ngjarja e fundit e ndalimit në France të Kryetarit të partisë së AAK-së (Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), zotit Ramush Haradinaj, më lejoni të parashtroj qëndrimin tim si Kryetare e Delegacionit të përhershëm parlamentar pranë KiE-së.
Ndalimi i z. Ramush Haradinaj në një vend të KiE, bazuar në një urdhër të vjetër arresti të Sërbisë, është i papritur e njëkohësisht i paparanueshëm. Ai përbën një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut.
Kryetari i AAK-së, bazuar në vendimet e të dy Dhomave të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, është liruar nga cdo akuzë e përpara vitit 2004, për rrjedhojë ky ndalim është i paligjshëm dhe absurd.
Prishtina dhe Beogradi janë angazhuar në një proces të vështirë dialogu, nën vëzhgimin e BE-se dhe një veprim i tillë nga një vend antar i BE-së dhe KiE-së dëmton këtë proces shumë të rëndësishëm për të dy vendet dhe për rajonin.
Ky veprim jo vetëm që nuk ndihmon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve por krijon precedentin e rrezikshëm të mosrespektimit të drejtësisë dhe shkeljes të të drejtat themelore të njeriut (vendimet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë).
Një ngjarje e tillë nuk mund ta lërë indiferent KiE-në, e cila është angazhuar seriozisht në promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Personalisht mirëpres një reagim dhe qëndrim të KiE-së si dhe kontributin e saj për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj dhe sensibilizimin e të gjitha vendeve antare për mos përsëritjen e precedentëve të tillë në të ardhmen.
Sinqerisht
Valentina Leskaj
Pedro Agramunt
President i Asamblesë Parlamentare të Këshilli të Evropës
Strasburg
.