Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, thotë se fajin pse buxheti i Kosovës do të dëmtohet prej 53 milionë euro për autostradën ‘Arbën Xhaferi’, e ka ish qeveria Mustafa, e cila për 38 muaj e ka mbikëqyrur këtë kontratë me Bechtel Enka’n. Lekaj ka thënë se fajin kryesor për 53 milionë euro e ka ish’ministri Zharku, Isa Mustafa e Avdullah Hoti.
Lekaj ka thënë se ai që në ditën e parë është përballur me këtë kontratë, dhe po të hiqte dorë prej saj, Bechtel – Enka do të pretendonte nga buxheti i Kosovës 167 milionë euro.
Ndërsa, lidhur me atë se ish’ministri Zharku thotë se marrëveshja për shtyrje për 11 muaj me Bechtel – Enkan, ishte 14.8 milionë euro, Lekaj ka thënë se kjo pjesë ka qenë vetëm për shtyrjen e punimeve me kërkesë nga qeveria Mustafa, por pjesa tjetër rreth 39 milionë euro, për dëmet që i janë shkaktuar kompanisë për mos futje në funksion të pajisjeve të kompanisë.
Lekaj në RTV Dukagjini ka thënë se, qeveria Mustafa nuk i ishte përmbajtur kontratës me Bechtel – Enkan, pasi kishte orientuar buxhetin e shtetit në projekte tjera, dhe jo në përmbushje të kontratës me Bechtel – Enkan, që ishte 42 muajshe.
“14.8 milionë ka qenë vetëm për zgjatje të kontratës. 40 mijë euro e kemi ditën për shtyrje të kontratës. Kjo është e dy anëshme. Qeveria e kaluar nuk është dashur të hap projekte të tjera, dhe të mos e përmbush këtë kontratë. Pra kjo 14.8 milionë euro është vetëm për kohëzgjatje, ndërsa pjesa tjetër, është për pajisjet që nuk i fut në punë kompania”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa, sa i përket mos konsultimit të kompanisë mbikëqyrëse të kontratës, Hill International, Lekaj ka thënë se asnjë cent nuk do të paguhet pa u certifikuar aneks-kontrata kjo kompani.
Lekaj, ka thënë se qeveria e kaluar është sjellë në mënyrë jo të përgjegjshme ndaj kontraktuesit, duke mos e respektuar kontratën me Bechtel – Enkan.
Must Read