Ministri i infrastrukturës Pal Lekaj dhe zëvendësministri Rexhep Kadriu, kanë mbajtur një konferencë për gazetarë, lidhur me nënshkrimin e kontratave të operatorëve për ndërtimin e autostradës A 7.1 Prishtinë-Gjilan.
Ministri Lekaj tha se nënshkrimi i kontratës për këtë projekt është lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Anamoravës, por edhe të tërë vendit, ngase kjo autostradë lidhë Gjilanin me pjesët e tjera të Kosovës. Lekaj duke dhënë detaje për këtë projekt, fillimisht tha se autostrada do të kushtojë 88 milionë euro, do të jetë në një gjatësi prej 22.3 kilometra dhe se punimet pritet të fillojnë në pranverë të këtij viti dhe do të zgjasin 30 muaj.
“Sot jemi para jush që ta japim një lajm të mirë për qytetarët e Anamoravës, ne jemi zotuar që nuk do të ketë ndarje regjionale, por do të kujdesemi në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Jeni të informuar se është nënshkruar kontrata për Gjilan. Kjo autostradë do ta ketë gjatësinë 22.3 kilometra, me katër korsi dhe do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të Anamoravës, por edhe të tërë Kosovës, sepse e lidhë Kosovën me autostradat tjera, me koridore dhe me qytetet tjera. Prandaj, unë së bashku me ju dhe të gjithë qytetarët duhet t’i gëzohemi këtij projekti. Është projekti më madhor që nuk ka përzierje të jashtme dhe ne si ministri jemi kujdesur që të jemi të vëmendshëm që të respektohen të gjitha normat apo procedurat e prokurimit publik. Ju, siç e dini kur kemi ardhë ne, e kemi gjetur në procedurë, por qeverisja e kaluar nuk i ka përmbushur kriteret e prokurimit publik dhe ne jemi munduar që të jemi të saktë në kohë dhe ta respektojmë ligjin e prokurimit publik. Të gjitha procedurat janë kryer në mënyrë të rregullt duke e respektuar ligjin, dhe tani janë përzgjedhur 8 operatorë ekonomik dhe ky projekt do të filloi në pranverën e hershme. Ju premtoj se Ministria e Infrastrukturës do të jetë transparente për të gjitha projektet dhe të gjitha procedurat që do t’i ndihmojnë transparencës së Qeverisë Haradinaj’, tha ministri Lekaj, transmeton Indeksonline.
Ndërkaq zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu, duke folur për rëndësinë e kësaj autostradë, ka thënë se kjo autostradë do t’i lidhë Anamoravën me Luginën e Preshevës. Kadriu ka treguar se autostrada do t’i ketë tri kuçje duke filluar me atë të Banullës, pastaj një në Zhegovc dhe e fundit do të jetë në Bresalcë.
”Kjo autostradë e munguar për Gjilanin i lidhë dikund afro 500 mijë banorë me Preshevën dhe Shkupin. Kyçja në këtë autostradë do të jetë në fshatin Banullë, një në Zhegovc dhe tjetra në Bresalcë. Autostrada do të jetë 22.3 kilometra, me katër korsi dhe do ta ketë edhe shiritin gjelbrues. Dinamika e kryerjes së punimeve do të jetë 30 muaj. Por ne nuk do të ndalemi vetëm në këto tëtë segmente, sepse në buxhetin e Kosovës janë të parapara 126 milonë euro për këtë autostradë dhe është e arritur e madhe sepse ne kemi arritur që këtë punë ta kryejmë për 88 milionë euro dhe jemi 40 milionë euro më lirë se sa ka qenë e planifikuar dhe 4o milionët e mbetura do t’i përdorim për segmentet tjera deri në Konçul”, tha Kadriu.
Ndërkaq, duke iu përgjigjur interesimit të mediave rreth mundësisë së publikimit të kontratave të nënshkruara, ministri Lekaj ka thënë se ato do të publikohen sapo të jenë gati dhe se secili qytetar i vendit do ta ketë munësinë që të njoftohet me to. Ndërkaq ministri poashtu ka siguruar se nuk do të ketë ndryshim të projektit edhe pse kishte tentativa për ta bërë një gjë të tillë., thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/