Edicionet tashmë të përvjetshme të MuralFest Kosova kanë ndikuar që qytete e vende të ndryshme të marrin një dukje të re, duke shtuar përmes artit gjallëri, freski dhe buzëqeshje, shkruan KultPlus.
Drejtoresha ekzekutive e MuralFest, Lebibe Topalli, në një intervistë për KultPlus tregoi se viti 2021 ishte shumë i suksesshëm dhe kjo gjë ka ndikuar që të përgatiten edhe më shumë për planet që po vijnë këtë vit.
“Ngjashëm si viteve të kaluara edhe këtë vit MF do vazhdojë të sjellë projekte në të mirën artistike dhe kulturore të shoqërisë”, thotë ajo.
Topalli njofton të gjithë lexuesit e KultPlus se vitin 2022 do ta fillojnë me një projekt të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, i cili do shënohet me ardhjen e një artisteje amerikane për të punuar së bashku me të rinjtë e Kosovës vendas jo vetëm murale, por edhe në cilësi të mentores në punëtori të ndryshme artistike.
Ajo njofton se përgatitjet për edicionin e ri veçse kanë filluar, derisa muralet i cilësojnë si pjesë më të rëndësishme të punës sonë dhe vazhdojnë të jenë prioritet për organizatë tonën.
“Këto përgatitje janë nisur duke caktuar temën e këtij edicioni, lokacionet e edhe ftesat për artistët pjesëmarrës. Sa i përket kësaj të fundit, gjatë muajit Shkurt do bëhet publikimi zyrtar për qytetarët rreth këtij edicioni”, shton tutje ajo.
Tutje, Topalli zbulon edhe detaje nga edicioni i shtatë duke thënë se tema do të jetë shumë më ndryshe nga hera e kaluar, derisa e lë në “enigmë” pjesën e figurave të reja kombëtare, duke shtuar se do të ketë shumë punë e risi nga ana e tyre.
Muralet në Kosovë kanë qenë të pikturuara nga artistë të ndryshëm nga Evropa, e madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kjo traditë do të vazhdojë edhe për edicionin e shtatë.
“Ajo që vlen të theksohet për vitin që lamë pas është se brenda 2021 kemi realizuar 20 murale të përmasave të mëdha me temën HOME, e prej tyre 10 me artistë vendas. Si progres tanë vlerësojmë me krenari muralet nga artistët tanë”, e thotë me modesti të plotë Topalli.
Vitin 2021, MuralFesti e filloi me portretin e Rita Orës, derisa e mbyllën me figurën e jashtëzakonshme të Nexhmije Pagarushës.
Misioni i Mural Fest është promovimi i artit dhe kulturës në vend, duke e përdorur artin si mjet për ndërgjegjësimin për kauza të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë. /KultPlus.com