Ferizaj.14.10.2017. Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, prezantoi kandidatet për këshilltare komunale në këtë qytet, gjatë një tubimi zgjedhor në teatrin “Adriana”. Me këtë rast, kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së Lirije Kajtazi, duke iu drejtuar kandidateve dhe grave të këtij subjekti, tha se LDK-ja është lidhje me vlera, e cila asnjëherë nuk e ka lënduar popullin dhe elektoratin e vet.
“Kjo është lidhja e demokratëve të vërtetë, kjo është lidhja me integrim, kjo është lidhja me mirëqenie, kjo është lidhja për progres dhe natyrisht ne do të ecim me të, do të ecim ngase i kemi pa të mirat e LDK-së, kjo parti i ka treguar gjithmonë sukseset e saj, ne i kemi provuar edhe të tjerat, por për fat të keq janë ato që e kanë lënduar popullin kosovarë, jo në raste të rralla”, tha Kajtazi.
Ndërkaq, kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizajt Muharrem Svarqa, tha se nëse do ta marr besimin për të udhëhequr edhe një mandat me Ferizajn, gratë nuk do t’i sheh vetëm si kuotë, por u zotua se 5 drejtori të qeverisë së tij do të udhëhiqen nga gjinia femërore. Svarqa tha se asnjë garues tjetër për kryetar nuk e donë më shumë Ferizajn se ai.
“LDK-ja është alternativa e domosdoshme në këtë kohë, përparësi në raport me të tjrët që kandidaturën për kryetar komune e kanë vetëm si kartë rezervë, pasi që janë deputetë dy nga kundërshtarët e mi politik tregon për mungesën e seriozitet për të konkuruar për kryetar të Ferizajt, pasi që po të ishin të sinqertë ata do të jepnin dorëheqje nga posti i deputetit. Unë për sinqeritetin tuaj, meqë jam këtu me bashkëshorten time, ju tregoj se unë ja kam besuar familjen dhe të ardhmen e fëmijëve të mi Kosovës dhe Ferizajt”, tha Svarqa.
Dega e LDK-së në Ferizaj, në mesin 45 kandidatëve për këshilltarë komunal ka 13 gra, transmeton Televizioni Tema.