Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës tha se angazhimi i tij dhe i MPMS-së është që të jetë sa më pranë qytetarëve, përkushtim që tashmë po dëshmohet.
Këto komente ministri i bëri gjatë interpelancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ku arsyetoi para deputetëve vendimin e Qeverisë për rritje për 20% të pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.
Ministri tha se që nga viti 2015, nuk ka pasur ngritje të vlerës mujore të ndihmës sociale, ani pse dispozitat ligjore, në baza vjetore, parashohin përshtatje të përfitimit në proporcion me shportën minimale të konsumit.
“Bazuar në hulumtimet e MPMS-së, organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe lëvizjes së çmimeve të artikujve të shportës së ushqimit, është propozuar dhe marrë vendim që vlera e ndihmës sociale për çdo familje të rritet 20% nga vlera aktuale e ndihmës sociale dhe kjo ka filluar të zbatohet nga 01 Janar 2018”, tha ministri Reçica.
Ky vendim, sipas ministrit, do të kontribuojë në rritjen e mirëqenies së këtyre familjeve dhe zvogëlim të shkallës së varfërisë, sidomos asaj ekstreme.
“Buxheti i aprovuar për Skemën e Ndihmës Sociale për vitin 2018 është në vlerë prej 31,350,000.00 euro, në kuadër të cilës shumë është planifikuar edhe rritja prej 20%”, shtoi ministri.
Ministri tha se rritja prej 20% nuk është e mjaftueshme për këto familje, por Qeveria e Kosovës dhe MPMS, objektiv kryesor ka përcaktuar që, nëpërmjet masave aktive të tregut të punës të angazhohen në punë të paktën nga një anëtar i familjeve nga kategoria e dyte e përfituesve të asistencës sociale të cilët do të ndihmojnë buxhetin familjar dhe nuk do të jenë të varur nga ndihma sociale.
Për të rritur efikasitetin në ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, ministri tha se është e nevojshme të bëhet një analizë dhe rishikim i skemës sociale, nëpërmjet ndryshimit të ligjit për skemën e ndihmës sociale gjë të cilën MPMS, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore është duke e realizuar.
Aktualisht, nga skema e Ndihmës Sociale përfitojnë mbi 26,000 familje, me mbi 106,000 anëtarë, të cilat marrin ndihmë sociale në bazë të numrit të anëtarëve të familjes, duke filluar nga 60 euro për familjen me një anëtar dhe 180 euro për familjen 15 anëtarësh.