Një incident i rëndë është shënuar mbrëmjen e së enjtes në Ferizaj, ku një person ka përfunduar në ndalim për 48 orë pasi dyshohet se ka kanosur dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për Skyfter Ajvazin (52 vjeç), pronar i kafiterisë “Sip by Lisa”, i cili u përfshi në përplasje me policinë në rrugën “Dimitrije Tucoviq”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur patrulla e trafikut kishte dalë në terren pas një informate për parkime të parregullta.
Sipas burimeve, gjatë shqiptimit të tiketave, Ajvazi ka dalë nga lokali dhe ka nisur të kundërshtojë veprimet e policisë, duke kërkuar që të mos dënohej një nga të pranishmit.
Pavarësisht vërejtjeve të zyrtarëve policorë, ai ka vazhduar me sjellje kërcënuese, duke iu drejtuar policit se “kjo punë nuk do të mbetet me kaq” dhe se do ta vazhdonin “në mënyrë personale”.
Gjatë arrestimit, i njëjti ka rezistuar, ndërsa si pasojë një zyrtar policor ka pësuar lëndime në dorën e djathtë dhe ka marrë tretman mjekësor.
Po ashtu, dy persona të tjerë, Jeton Sherifi (54 vjeç) dhe Bardhyl Haziri (55 vjeç), kanë tentuar të pengojnë arrestimin e tij, por pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
I dyshuari kryesor, i cili dyshohet se ishte nën ndikim të alkoolit, është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.
Rasti është duke u hetuar.

