Qytetarët do të kenë mundësi t’i japin vërejtjet dhe propozimet e tyre për Statutin e QKMF-së, për Strategjinë e informimit dhe të komunikimit në komunën e Ferizajt dhe për Planin e veprimit për promovimin e integritetit dhe zvogëlimin e korrupsionit.
Kuvendi Komunal i Ferizajt e filloi mbledhjen e sotme me propozimin e grupit të kuvendarëve të PDK-së që të merret vendim për transmetimin e mbledhjeve të kuvendit në mediet lokale dhe të vihet në rend dite raporti i auditorit të përgjithshëm.
Mirëpo, kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, tha se transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjeve të KK-së është duke u bërë përmes faqes zyrtare të Komunës, ndërsa raporti i auditorit nuk mund të vihet në rend dite ad hoc, por përmes procedurës së rregullt.
Diskutime më të gjata u zhvilluan rreth raportit financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, të cilin e paraqiti para kuvendit kryetari i Komunës Muharrem Svarqa. Ai, ndër të tjera, tha se gjatë peridhës janar-qershor 2016 u si të hyra vetjake u arkëtuan 1.613.189 euro, që përbën 38.77 për qind të planifikimit vjetor, por që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ka shënuar rritje për gati 15 për qind.
Kryetari Svarqa konstatoi se gjatë periudhës gjashtëmujore, vlera e shpenzimeve buxhetore është afërsisht e kënaqshme, pasi buxheti është shpenzuar në shkallë 41.6 për qind, ose 11.026.701 euro, në të gjitha programet dhe kategoritë buxhetore. Ai vuri në dukje sidomos rritjen e arkëtimit të tatimit në pronë, i cili muajve të fundit ka shënuar trende shumë pozitive. Gjatë gjashtëmujorit të parë të hyrat nga tatimi në pronë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë qenë 16.57 për qind më të larta.
Derisa kuvendarë nga pozita e lavdëruan raportin financiar, si tregues të një performance të mirë që qeverisë komunale, duke pritur që gjashtëmujori i dytë, si rëndom të jetë shumë më efektiv, sidomos për investimet në infrastrukturë, partitë opozitare e vlerësuan raportin si të dobët dhe të mangët. Kuvendarë të Partisë Demokratike të Kosovës thanë se raporti nuk përmban borxhet që ka krijuar Komuna, listën e shpenzimeve nga subvencionet etj. dhe se krahasimi i ecurive financiare me ato të vitit të kaluar, nuk është adekuat, sepse, sipas tyre, viti 2015 ka qenë i dështuar financiarisht. Nga Lëvizja Vetëvendosje u dha vërejtja se raporti nuk qartëson nëse arkëtimi i të hyrave është nga ato të planifikuarat, apo nga borxhet e papaguara etj.
Drejtoria komunal e arsimit i paraqiti kuvendit një informatë lidhur me përfundimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2015-2016. Sipas saj, këtë vit shkollor mësimet nga klasa e parë deri në të nëntën i kanë ndjekur 17.077 nxënës, prej të cilëve 98.75 për qind e kanë kaluar klasën aktuale. Kurse arsimin e mesëm të lartë e kanë ndjekur 6.277 nxënës, prej të cilëve 82 për qind e kanë kaluar klasën aktuale. Në afatin e qershorit, në provimin e maturës kanë hyrë 2.452 nxënës, 69 për qind e të cilëve e kanë kryer me sukses, ndërsa 31 për qind nuk kanë pasur sukses pozitiv. Krahasuar me vitin e kaluar, provimi i maturës ka qenë për 18 për qind më i suksesshëm.
Kuvendarë të pozitës e panë informatën për rezultatet e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2015-2016 si të kompletuar dhe zhvillimet në arsimin ferizajas me trende përmirësimi nga viti në vit.
Ndërkohë, kuvendarët opozitarë thanë se informata ishte e mangët, se arsimi është politizuar, se arsimtarëve u jepen orët sipas parapëlqimeve politike etj., pohime këto që u mohuan nga drejtoria e arsimit.
Kuvendi i Ferizajt me vota të njëzëshme nxori në diskutim publik Statutin e QKMF-së, Strategjinë e informimit dhe të komunikimit në komunën e Ferizajt dhe Planin e veprimit për promovimin e integritetit dhe zvogëlimin e korrupsionit. Kurse me shumicë votash u përcaktua kohëzgjatje prej 90 vitesh e shfrytëzimit të pronave komunale 145-0 dhe 626-1.