15,11,2024

Kuvendi i Komunës së Ferizajt vendosi që varrezat e reja të vendosen në Fshatin e Vjetër

Must Read

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e radhës e Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Fillimisht para të pranishmëve Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyçi, i ka paraqitur të gjitha pikat e rendit të ditës të cilat ishin përgatitur për këtë mbledhje. Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës është debatuar gjatë lidhur me zhvendosjen e vend varrezave nga hapësira rreth parkut “Liria”, vendim ky i marrë në vitin 2014 në një hapësirë të re në Fshatin e Vjetër.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në fjalën e mbajtur para kuvendarëve ferizajas për këtë çështje tha se është urgjente gjetja e një vendi të ri për varreza ngase vendi i përcaktuar në vitin 2014 tek Parku “Liria” paraqet pengesë nw aspektin e sigurisw, për aktivitetin dhe stërvitjen e FSK-së dhe pas të gjitha diskutimeve e analizave të bëra , është arritur pajtueshmëri që hapësira në Fshatin e Vjetër i plotëson kushtet për këtë qëllim.

Në prezantimin e kësaj pike, drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu, tha se kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë, derisa nuk ka asnjë alternativë tjetër pa pagesë duke theksuar se ndonjë zgjidhje me prona private do të ishte e shtrenjtë , kurse pronat tjera komunale janë të papërshtatshme për këtë qëllim.

Pas diskutimeve të gjata dhe polemikave edhe për ndërrimin e parcelës për ndërtimin e Spitalit të ri Rajonal u votua me 19 vota për e 17 kundër që parcela prej 5 hektarësh në Fshatin e Vjetër të destinohet për varrezat e qytetit.

Në këtë mbledhje po ashtu është njoftuar edhe Platforma Qeverisëse 2017-2021. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kjo platformë qeverisëse, buron nga orientimet programore të shpërfaqura si ofertë qeverisëse për qytetarët e Ferizajt, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2017.

“Kjo platformë, garanton ruajtjen dhe emancipimin e mëtutjeshëm të një ambienti konstruktiv të raporteve pushtet-opozitë, pushtet-shoqëri civile dhe mbi të gjitha, pushtet-qytetar. Përmbushja e detyrimit për rregullimin e plotë të infrastrukturës bazike, do të jetë një ndër preokupimet e qeverisjes komunale në këtë mandat katërvjeçar. Po ashtu, synojmë ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta rrisim nivelin strategjik të planifikimit të investimeve, në mënyrë që të forcojmë parakushtet për zhvillimin ekonomik të Komunës dhe rritjen kualitative të komunikimit të saj ndër komunal dhe ndër rajonal. Do të rrisim komunikimin efektiv me bizneset e Komunës dhe do të ftojmë investitorët e mundshëm të jashtëm e të brendshëm për investime, nëpërmjet hartimit të politikave, të cilat lehtësojnë procedurat e veprimit afarist-ekonomik. Respektimi dhe zbatimi i ligjit dhe akteve normative, do të rritet e forcohet, për të qenë garanci e rikthimit, përkatësisht rritjen e besimit të qytetarëve në institucionin e Komunës. Ky program, ka synim kryesor, që Komunën e Ferizajt, ta bëj, apo së paku, ta formësoj si një Komunë elitare për Kosovën. Platformën qeverisëse të Komunës, në mandatin katër vjeçar 2017-2021, e bazoj në zotimin tim drejtuar qytetarëve të Ferizajt, për të realizuar pritjet e tyre për një qeverisje më të mire, që do të rris kualitetin e jetës së tyre. Në mënyrë të veçantë dhe misionare, këtë program ia dedikoj rinisë sonë, e cila është e gatshme dhe e motivuar që ta ndërtojë të ardhmen e saj këtu. Ne vetëm se do ta vlerësojmë dhe respektojmë deri në përulje idealin e saj të natyrshëm për një jetë të dinjitetshme në atdhe. Jemi të gatshëm që virtytin e qytetarisë sonë të vjetër ferizajase, ta njohim edhe më mirë në ambiciet e frymëzimin cilësor të brezit të ri” , është shprehur Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Kuvendi i Komunës së Ferizajt gjatë mbledhjes së sotme mori edhe disa vendime të tjera që kanë të bëjnë me shndërrim të ngastrave kadastrale nga tokë bujqësore në atë ndërtimore dhe këmbimin e tyre. Ndërkaq me shumicë votash u vendos që të lejohet pagesa e taksës për leje ndërtimore të kategorisë II me 3 këste si dhe u mor vendim që të vihet në diskutim publik Draft Rregullorja Komunale për Shfrytëzimin e Objekteve Sportive Publike.’

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img