Paraditen e sotme, është mbajtur mbledhja e dytë brenda këtij muaji e Kuvendit të Komunës së Ferizajt me ç’rast u diskutua për një varg çështjesh e dokumentesh të propozuara nga ekzekutivi.
Ndër çështjet që pati diskutime të shumta ishte edhe propozim vendimi për dhurimin e pajisjeve mjekësore nga QKMF për Spitalin e Ferizajt, ku asambleisti i LDK-së, Burim Karameta kundërshtoi këtë propozim duke e quajtur të kundërligjshëm me ç’rast edhe propozoi që të hiqet nga rendi i ditës. Ky propozim nuk mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kuvendit.
Me përfundimin e diskutimeve nga anëtarët e Kuvendit, me shumicë votash u kalua edhe kjo pikë e rendit të ditës, sipas propozimit të bërë nga ekzekutivi i komunës.
Çështje tjetër që përplasi pozitën dhe opozitën në pjesën e dytë të punimeve të Kuvendit ishte edhe propozimi nga Kryetari i Komunës, gjegjësisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, për rishqyrtimin- harmonizimin me dispozitat ligjore të vendimeve të Kuvendit 01 Nr. 59, 60, 61 dhe 62 të datës 30.03.2018 që kanë të bëjnë me ndërtimin e Spitalit të ri Rajonal të Ferizajt. Ky propozim mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kuvendit.
Në këtë seancë të Kuvendit u miratua edhe popozim-vendimi për vënien në diskutim publik të draf-rregullores për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët, destinimi i ngastrës kadastrale 2025-0 ZK Ferizaj, vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastrale 1661-1 ZK Greme, Raporti i Punës për Vitin 2017, si dhe Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Ferizajt për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.