Atë që nuk arriti ta zbatojë në plotni si kryeministër, Hashim Thaçi u zotua ta mbrojë si President i Kosovës.
Ka tetë vite që akti më i lartë juridik i shtetit të Kosovës, Kushtetuta, sipas atyre që e hartuan, nuk po arrin të gjejë zbatim në gjithë territorin dhe shkelësit më të mëdhenjë janë pikërisht gardianët e saj.
Si pasojë, dy president janë larguar për mos zbatim derisa vet ish kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani është nën aktakuzë, shkruan Gazeta Fjala.
Sa ishte në krye të kësaj pozite sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale në cilësinë e kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Hasani kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare me rastin e vendosjes për kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me dekretin e saj, që ka pasur të bëjë me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Për këtë, edhe juristët e shohin vështirë të realizueshëm zotimin e të parit të shtetit në këtë situatë.
“Deri më tani Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shkelur nga shumëkush dhe shumë herë në vazhdimësi. Struktura të caktuara funksionare të institucione të Kosovës e ekzekutivi për fat të keq po vazhdojnë ta shkelin Kushtetutën e Kosovës”, thotë për Gazetën Fjala njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.
Ai vlerëson se ky dokument nuk është duke u respektuar si një akt i shenjtë as nga vet qytetarët e të zgjedhurit e tyre.
“Segmente të caktuara të insitucioneve në Kosovë nuk e njohin Republikën, e quajnë me emra të ndryshëm në institucione edhe në parlament, ndonëse janë persona zyrtarë në shtetin e Kosovës”, thotë Baraliu.
Baraliu edhe themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovës e cilëson si antikushtetuese. Ai vlerëson se kjo gjykatë është suspenduese e gjithë sistemit juridik e gjyqësor në Kosovë.
“Libra të thjeshta në Kosovë, shëndrrohen në akte juridike ndërkombëtare”, ka thënë Baraliu.
Por nuk është rasti i vetëm i Enver Hasanit e Gjykata Sperciale në të cilin është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ajo që tetë vite nuk po arrinë të gjejë zbatueshmëri në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku qasja e shtetit të Kosovës në këto komuna ende mbetet simbolike dhe e kufizuar.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se atje edhe më tej funksionojnë strukturat paralele, nuk ka sistem unik të drejtësisë, nuk ka sistem unik arsimor, dhe nuk ka prani të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si institucion i thirrur nga kushtetuta për të ruajtur dhe ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, shkruan Gazeta Fjala.
Në këtë drejtim, juristi, Blerim Burjani ka thënë për Gazetën Fjala se Kushtetuta e Kosovës nuk është zbatuar asnjëherë në veri të shtetit.
Sipas tij serbët lokal shkelin kushtetutën e Kosovës përderisa jetojnë në Kosovë e ndjekin kushtetutën dhe ligjet e Serbisë.
“Liria e mallrave dhe njerëzve, asnjë normë kushtetuese nuk u zbatua nga pakica serbe, madje kjo Kushtetutë u shkel nga serbët lokal të cilët formalisht jetojnë në Kosovë dhe e zbatojnë kushtetutën serbe”, ka thënë Burjani.
Tetë vite, Kosova pa ushtri
Kufizimet ligjore të vendosura lidhur me armatimin, numrin e pjesëtarëve si dhe me kompetencat e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) e bëjnë që ajo në publik të mos konsiderohet si ushtri. Të gjitha kufizimet aktuale mund të eliminohen përmes ndryshimit të legjislacionit përkatës brenda dispozitave ekzistuese të Kushtetutës.
Mirëpo sipas ekspertëve juridik janë shantazhet e listës serbe, vendosja e kushteve nga ta, ato të cilat i kanë bërë të pakompletuara institucionet e shtetit.
“Kosova mbetet pa ushtri nga shantazhi i listës serbe,vendosja e kushteve të pa pranushme ka lënë të pakompletuara institucionet e shtetit. Mos uniteteti i duhur nga partitë politike, marrja me interesa tjera ka bërë që shteti të mbetet pa forca të armatosura”, ka thënë Burjani për Gazetën Fjala.
Ndërkaq Mazllum Baraliu thotë se është absurde që Kosova tash e sa vite pas themelimit të Kushtetutës të mos ketë ushtri të sajen.
“Shëndrrimi i Forcave të Sigurisë në ushtri është njëri nga kushtet e domosdoshme , sepse është absurd që një shtet sovran të mos ketë një forcë mbrojtëse”, ka thënë Baraliu.
Aktualisht, rolin e forcës mbrojtëse në Kosovë e ka KFOR-i. Kurse proceduralisht, Forcat e Armatosura të Kosovës do të mund të themelohen vetëm nëse krijohet konsensusi politik edhe me pakicën serbe që të votojë pro ndryshimeve kushtetuese, shkruan Gazeta Fjala.
Dita e Kushtetutës së shkelur
Pasi ishte draftuar më 9 prill të vitit 2008, duke u mbështetur në parimet e Pakos së Ahtisaarit, Kushtetuta e Kosovës kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, të po të njëjtit vit.
Përveç ndryshimeve që pësoi në amendamentet për marrjen e pushtetit nga misionet ndërkombëtare, karakteristike për këtë Kushtetutë ishin edhe shkelësit e saj.
Gjykatës Kushtetuese, si gardiane e këtij dokumenti, i është dashur t’i “largonte” nga pozita më e lartë e shtetit, dy pararendësit e presidentes Atifete Jahjaga, Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin.
I pari u “gjykua” për mbajtje të postit të kryetarit të Lidhjes Demokratike në kohën kur po e drejtonte shtetin, ndërsa i dyti, ra më shumë viktimë e shkeljeve procedurale në emërim të cilat i bëri Kuvendi i Kosovës, shkrun Gazeta Fjala.
Edhe tetë vjet pas fuqizimit të saj, Kushtetuta e Kosovës vazhdon të sfidohet seriozisht në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku qasja e shtetit të Kosovës mbetet simbolike dhe e kufizuar./GazetaFjala/