Në teatrin e qytetit “Adriana”, në Ferizaj është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së veteranit të UÇK-së Xhavit Gashi-Sadria.
Në këtë akademi përkujtimore ka marrë pjesë Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, familjarë dhe bashkëpunëtore të Xhavit Gashit.
Me këtë rast Kryetari Aliu, është shprehur se sot po kujtojmë veteranin e UÇK-së në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta.
“Dita e sotme, na bëri bashkë, në një përkujtim të veçantë, në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta të luftëtarit të lirisë, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Gashi – Sadria.
Si sot, 4 vjet më parë, na dha lamtumirën e fundit, një nga të shquarit luftëtarë të lirisë, një nga të parët që formuan rreshtat e luftës për çlirim, u nda nga ne bashkëqytetari ynë i çmuar, Xhavit Gashi.
Dhembja është e pashmangshme, pikëllimi është i thellë edhe sot. Është krenaria ajo që mban të fortë e të bashkuar familjen, shoqërinë e tij – bashkëluftëtarët, të cilët jemi mbledhur sot së bashku, në kujtim të jetës dhe veprës së tij.
Të flasësh për jetën, veprat e luftëtarëve të lirisë, është gjithnjë krenari e veçanti.
Krenari, ngaqë janë ata që kur historia jonë e fundshekullit XX shkruhej me gjak dëshmorësh e martirësh, me krismat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin ata që kumtonin lirinë e afërt të Kosovës”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se ishin ata, të gatshëm për flijim, në çdo hap drejt ëndrrës sonë shekullore për lirinë.
“Gjersa, e veçantë është historia e gjithsecilit prej tyre, trajektorja në valët shpresë ndjellëse të lirisë, aktet heroike që ndërtojnë rrëfimin e gjithsecilit prej tyre e përthekojnë sakrificën sublime për vatrën tonë.
I tillë ishte edhe Xhaviti. Të tilla vlera barte mbi supe shtati i tij. E tillë ishte atdhedashuria e tij. Në portretin e lirisë që ndërtuan me gjak e sakrifica dëshmorët, invalidët e luftës, luftëtarët e lirisë, martirët, vepra e tij atdhedashëse zë një vend meritor.
Xhaviti, ishte në të hershmet orë të organizimit kombëtar, ishte në ballë të përpjekjeve tona për lirinë, ishte i kudondodhur në lartësinë e atdhedashurisë, i gatshëm gjithherë për të sakrifikuar për lirinë. Ishte ai, që kur ra kushtrimi për lirinë e Kosovës, rroku armën me bashkëluftëtarët, për t’i dal zot vendit.
Horizonteve të lirisë, shfaqet krenare figura e tij. Copëzat që ndërtuan personalitetin e tij, u shkrinë, u bënë një me luftën tonë për lirinë. Xhaviti me veprën e tij, kur tufanet e kohërave do të kalojnë mbi këtë dhe, do të qëndroj i palëkundur siç ishte vet personaliteti e jeta e tij”, tha Aliu.
Kryetari Aliu, në fjalën e tij ka thënë se Xhavitin e njoha personalisht.
“Xhavitin e njohëm të gjithë. Ishte qetësia e tij, që tipizoi karakterin e tij. Ishte mirësjellja e kontributi i madh por asnjëherë fjalëshumë, që përthekon figurën e tij. Të tillë do ta kujtojmë ndër breza, të tillë e kujtojnë bashkëluftëtarët e tij dhe mbarë shoqëria.Ndarja e tij nga jeta, është humbje për familjen e shoqërinë. Është humbje për ne që e njohëm e në vlimet e kohës, patëm rastin të bashkë punojmë për më të mirën e vendit.
Ai mbylli sytë përgjithmonë, duke e parë të realizuar përpjekjen e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij, ai mbylli sytë përgjithmonë duke e përjetuar Kosovën e lirë, shtetin në zhvillim e perspektivën e sigurt përpara”, tha Aliu.
Të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar edhe ish Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli i cili foli për jetën dhe veprën e veteranit Xhavit Gashi-Sadria, ndërsa Nait Hasani ka mbajtur një fjalë përkujtuese si shef i shtabit operativ.
Ndërkaq Fehmi Hajrullahu, ka ndarë disa kujtime për të ndjerin.
Për këtë akademi përkujtimore në emër të familjës të pranishmit i ka falenderuar vajza e Xhavitit Jehona Gashi.
Në fund shoqata e veteranëve të luftës ka ndarë një mirënjohje post-mortum për familjen Gashi.