26,11,2024

Kthehet në rigjykim vrasja që tronditi Ferizajn

Must Read

Në shkurt të vitit 2018 një ngjarje e rëndë e kishte goditur Komunën e Ferizajt, i riu Besart Hasani kishte mbetur i vdekur pas të shtënave me armë të cilat pretendohet se kishin ndodhur pas një mosmarrëveshje rreth pagesës së borxhit të veturës “BMW X5”.

Sipas video filmimeve të rastit, Besart Hasani pasi ishte plagosur dhe rrëzuar në tokë ishte goditur për disa çaste nga disa persona të cilët sipas aktakuzës rezultojnë të jenë pjesëtar të familjes Ramadani.

Për këtë ngjarje të rëndë Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë kundër pesë personave. Albert Ramadani u ngarkua me akuzën për vrasje mizore dhe armëmbajtjeje pa leje përderisa Artan, Fadil dhe Argjend Ramdani ishin akuzuar për pjesëmarrje në rrahje.  Pjesë e kësaj aktakuze është edhe Driton Krasniqi i cili përpos pjesëmarrjes në rrahje akuzohet edhe për mashtrim në lidhje me blerjen e veturës “BMW X5”.

Dy vite pasi kishte ndodhur ngjarja, Gjykata në Ferizaj kishte dhënë epilogun e saj rreth kësaj vrasje dhe më 16 vite burgim e kishte dënuar Albert Ramadanin.

Përpos tij me burgim ishin dënuar edhe familjaret e tij të cilët pas plagosjes e kishin goditur trupin e Besart Hasanit.

Artan dhe Fadil Ramadani ishin dënuar me nga 2 vite burgim ndërsa Argjend Ramadani ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim.

Me burgim ishte dënuar edhe Driton Krasniqi. Atij gjykata e Ferizajt i kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj burg.

Me vendimin e kësaj gjykate të pa kënaqur kishin mbetur familja e të vrarit, prokuroria e po ashtu edhe të akuzuarit.

Prokuroria dhe familja Hasani kishin parashtruar ankesë kundër këtij vendimi pasi gjykatësi Mustafë Tahiri e kishte kualifikuar veprën nga vrasja mizore në vrasje të rëndomtë e cila dënohet më pak.

Gjykata e Ferizajt e kishte kualifikuar veprën në vrasje të rëndomtë duke ia larguar vrasjen mizore me arsyetimin se viktima kishte pasur më shumë dhembje nga plumbi se sa nga goditjet pas tij.

Sipas gjykatësit Mustafë Tahiri, një vrasje mund të konsiderohet mizore kur viktima përjeton më shumë dhimbje psikike dhe fizike nga goditjet se sa nga plumbi.

Menjëherë pas këtij vendimi, prokurori kishte parashtruar ankesë me pretendimet se gjykatësi nuk e kishte marrë për bazë raportin e ekspertit i cili kishte konstatuar se viktima kishte ndier dhimbje nga goditjet edhe pasi plumbi ia kishte shqyer arterien.

Ankesa kishte parashtruar edhe i akuzuari Albert Ramadani. Ai kishte kërkuar që të lirohet nga akuza ose që lënda të kthehet në rigjykim. Të njëjtën kërkesë e kishin parashtruar edhe të akuzuarit e tjerë.

Pas këtyre ankesave me vendimin e shqiptuar nga Gjykata e Ferizajt nuk u pajtua as Gjykata e Apelit.

Sipas Apelit aktgjykimi nuk ishte përpiluar sipas kodit të procedurës penale dhe se emërtimi ligjor i veprave penale nuk përputhej me përmbajtjen e pjesës kryesore të aktgjykimit.

Apeli vlerësoj se aktgjykimit të Themelores i mungonin arsyet për faktet vendimtare pasi ato ishin në kundërshtim të plotë me provat e rastit.

Për këto arsye, Apeli vendosi që çështjen ta kthej edhe një herë në gjykim në mënyrë që Gjykata e Ferizajt t’i eliminoj të gjitha paqartësitë. /KALLXO.com

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img