Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, gjatë qëndrimit në Itali, u takua sot me monsinjor Vincenzo Paglia, një mik i madh i shqiptarëve, kryetar i Akademisë Papnore si dhe këshilltar i lartë i Papa Françeskut.
Në këtë takim janë biseduar çështje të rëndësishme sa i përket Kosovës, por njëra ndër to ishte ngritja në një shakllë më të lartë të marrëdhënieve të Kosovës me Vatikanin. Me këtë rast edhe kryetari Svarqa, por edhe monsinjor Vencezo Paglia, thanë se do të punojnë së bashku me përkushtim për përmbushjen e standardeve, në mënyrë që pavarësia e Kosovës të njihet nga Vatikani dhe të hapen edhe rruga e anëtaësimit edhe në Bashkimin Evropian.
Po ashtu u bë e ditur se në takim është diskutuar edhe për një vizitë të afërt të kryeministrit të Republikës së Kosovës, akademik Isa Mustafës në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Gjatë këtij takimi monsinjor Vencezo Paglia, ka evokuar edhe shumë kujtime për presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, me të cilin ishte edhe mik i mirë gjatë kohës së veprimtarisë së Shën Egjidios.
Në këtë takim i pari i Ferizajt i bëri ftesë speciale monsinjor Vincezo Paglias, kryetar i Akademisë Papnore, si dhe këshilltar i lartë i Papa Françeskut, që ta vizitojë Kosovën, por edhe qytetin e Ferizajt, ftesë kjo që u pranua me shumë kënaqësi nga monsinjor Paglia.