Ferizaj

Svarqa inkurajon bashkatdhetarët që të investojnë në Ferizaj

By FerizajPress

July 31, 2017

Ferizaj.31.07. 2017. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka qenë nikoqir i takimit me bashkatdhetarët tanë që po kalojnë pushime në vendlindje, në të cilin këta të fundit i ka njoftuar me zhvillimet aktuale në komunë, planet, investimet dhe prioritetet për të ardhmen, duke e vënë theksin në kontributin që ka dhënë mërgata jonë gjatë viteve në shumë rrafshe.

Kreu komunal i ka inkurajuar gjithashtu bashkatdhetarët tanë që të investojnë kapitalin e tyre në atdhe përmes hapjes së bizneseve, e me këtë duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Svarqa ka vlerësuar se bashkatdhetarët tanë janë shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe social.

“Komuna e Ferizajt tashmë po merr primatin e komunës më të zhvilluar pas Prishtinës që gjithsesi që është kontribut edhe i mërgatës shqiptare. Ne gjithsesi po punojmë të evidentojmë njerëz të suksesshëm të cilët mund të bashkëpunojmë përmes bizneseve komplementare që tashmë atdheun ta shohin si vend i cili mund të përfitojmë dhe fitojmë përmes investimeve sepse nuk është e thënë që tanë jetën me dërgu vetëm remitenca këtu, pa të cilat nuk kishim ardhur në këtë nivel ku jemi të zhvillimit, sepse sipas statistikave komuna e Ferizajt ka 47 mijë mërgimtarë të cilët janë konsideruar si burimi kryesor i financimit të familjeve dhe të banorëve në komunën e Ferizajt. Tash komuna e Ferizajt jo vetëm përmes këtij financimi, por edhe përmes kontributit dhe angazhimit që ka si pjesë e mërgimtareve që punojnë tash përmes lidhjeve me bazën amerikane të kampit Bonstill, sepse një pjesë e mërgimtareve shkojnë edhe në vendet në lindjes se mesme, si në Irak, Afganistan dhe vende të tjera, po ashtu kanë ndihmuar edhe në formimin e bizneseve të reja të vogla të cilat tashmë, po e marrim primatin e bizneseve të mesme zhvillimore”, është shprehur kryetari Svarqa.

Ai tutje është shprehur se në komunën e Ferizajt, janë 11 mijë e 700 biznese, që sipas tij, këto biznese mbushin edhe arkën e buxhetit të Republikës së Kosovës. Kryetari Svarqa, tha se buxheti i Republikës së Kosovës është 2 miliard euro, ndërsa komuna e Ferizajt kontribuon me 360 milion euro në vit.

“Ferizaj viteve të fundit ka pasur përfitimet më të mëdha nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga të gjitha pushtete që nga pas lufta. Megjithatë akoma nuk janë konform mbushjes së buxhetit që bën Ferizaj në nivel të Kosovës. Ne jemi shumë mirënjohës për të gjitha projektet që i kemi marr nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilat kemi bashkëpunuar ngushte duke konkurruar me projekte të rëndësishme po që kanë pasur kode buxhetore të ndryshme të komunave në mes vete në të cilin projekt Komuna e Ferizajt ka përfituar më së shumti, sepse në emër të lidhjes me komunën e Lipjanit kemi përfituar projekte për lidhjen e Mirashit Fushës se madhe dhe Cërnillës. Në emër të lidhjes së Shtime kemi përfituar magjistralet të cilat për fat të keq ende nuk kanë filluar për shkak të stërgjatës së procedurave që duhet të implementohen siç është rruga nga Babushi-Tërrni-Lubovci deri në Koshare, por kemi përfituar një projekt tjetër prej Prelezit të Jerlive deri në fshatin Lloshkobare , po ashtu edhe projekt të tjera nga unaza e jashtme në kuadër të lidhjes me Shtërpcën psh për Greme-Burrnik-Gackë si dhe Pleshinë-Kashtanjvë, ndërsa në emër të lidhjës me Vitinë kemi përfituar projektin për rregullimin e rrugëve kryesore përmes Komogllavës deri në Tërrstenik si dhe një unazë të jashtme të komunës së Ferizajt e cila ka një gjatësi prej 30 kilometrash e cila është në fazën përfundimtare të hapjes si një nga rrugët alternative që lidh fshatrat më të rëndësishme të komunës së Ferizajt”, ka potencuar kryetari Svarqa, përderisa ka shtuar se këto ditë do të fillojë realizmi i një projekti që lidh komunën e Ferizajt dhe Gjilanit përmes fshatit Rahovicë dhe Kishnapolë, i cili do të kushtoj kushton 3 milion euro.

Kryetari Svarqa, të pranishmit i ka njoftuar edhe për projekte të tjera siç janë ato shëndetësore, arsimore, kulturore dhe sportive. Ai është ndalur edhe tek rregullimi i sheshit të qytetit, me ç’rast ka thënë se shumë shpejt do të realizohet dhe faza finale e këtij projketi madhor për këtë qytet.

“Ne mendojmë se më këtë Ferizajt do ti japim një pamje krejtësisht tjetër dhe në të ardhmen të punojmë për integrimin të qytetit të Ferizajt, përmes hekurudhës nën tokë sepse e vetmja zonë ku ndahet përgjysmë ky qytet, por e vetmja mundësi që të krijojmë kapacitete për rregullimin e rrugës me katër korsi, rrugës “Ahmet Kackiku” në mënyrë që përgjatë kësaj të kemi një bulevrad një shëtitore të shoqëruar edhe më drunjë dekorativ, ulëse, ndriçime pikërisht ashtu siç mund të jetë edhe në vendet prej nga vini ju”, tha Svarqa.

Ai më tej ka siguruar bashkatdhetarët tanë se qeveria lokale është shumë e përgjegjshme, e vëmendshme dhe mirënjohëse për angazhimin e tyre dhe falënderuese për gjithçka kanë bërë dhe po bëjnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Ferizajt.

“Ne konsiderojmë bashkëpunimin e të gjithë qytetarë tepër të rëndësishëm për zhvillim por edhe komunikim me hulumtimin, evidentimin për zgjidhjen e probleme që ndërlidhet jeta e qytetarëve tanë. Nuk ka asnjë vendbanim qoftë rural, apo urban që nuk është duke u punuar, nuk ka asnjë shërbim cilësor që nuk është vën në dobi të qytetareve, sepse të gjitha shërbimet kërkesat realizohen me shpejtësi gjithë që kanë për të kryer një punë në komunën e Ferizajt, nuk presin, sepse ne kemi vendos edhe sistemin elektronik dhe të gjitha këto janë në shërbimin tuaj”, ka thënë Svarqa.

Bashkatdhetarët që ishin prezent në këtë debatit kanë shprehur interesimet e tyre lidhur me shumë çështje.

Nerxhivane Ferati, është interesuar për shumë projekte, por theks të veçante i ka kushtuar edhe çështjes së të sëmurëve me kancer se çka është duke bërë komuna e Ferizajt për këtë çështje. Ndërsa Fatmir Ibrahimi, ka falënderuar Komunën e Ferizajt, për të gjitha projekte që po bën në ë mirë të qytetareve të Ferizajt.

Në interesimet e tyre janë përgjigjur kryetari Svarqa dhe drejtorët e drejtorive komunale.