Kampionia në karate Alma Loku, u përgëzua për çmimin “Gand prix” në turneun ndërkombëtar të karatesë në Kroaci.
Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, priti sot kampionen e botës në karate për moshat 10-12 vjeç, ferizajasen Alma Loku, për t’i shprehur urime me rastin e suksesit më të ri. Të dielen që shkoi, Alma doli fituese në grupmoshën e saj në turneun ndërkombëtar në Samobor të Kroacisë, në disiplinën “Kata – girls XB”.
Kryetari Svarqa përgëzoi Almën dhe trajnerët e saj, duke e çmuar edhe këtë sukses si një nder që i bëhet Ferizajt dhe gjithë Kosovës. Ai theksoi se Ferizaj tashmë po përfaqësohet në garat ndërkombëtare me shumë sportistë dhe kjo gjë na bën krenar të gjithëve, aq më tepër sukseset shumë të dalluara si ky i Alma Lokut.
Kryetari i Ferizajt bëri të ditur se Komuna do t’i japë një mbështetje simbolike financiare karateistes Alma Loki, në shumë 500 euro, si stimulim për punën e saj.
Trajneri Gani Mahalla dhe drejtori i klubit të karatesë “Kastrioti”, falënderuan për pritjen dhe shfaqën shpresën se Komuna e Ferizajt nuk do ta kursejë mbështetjen për ndërtimin e një salle sportive, në të cilën karateistët do të mund të përgatiteshin më mirë për gara.
Ndërsa kampionia Alma Loku, u shpreh e gatshme të angazhohet për të arritur edhe suksese të tjera, për ta bërë krenare familjen, Ferizajn dhe gjithë vendin.