Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur mbledhjen e dytë me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi me ç ‘rast pikë kryesore e diskutimit ishte situata pas reshjeve të fundit të shiut dhe breshërit si dhe siguria e përgjithshme në territorin e Ferizajt. Në këtë takim, Kryetarit i Komunës, Agim Aliu paraqiti në detaje një raport mbi vlerësimin e kësaj situate dhe veprimet që janë ndërmarr nga task-forca e krijuar dhe udhëhequr nga vet ai. Gjithashtu, u diskutua gjerësisht edhe për zonat ku përmbytja ka shkaktuar dëme si dhe fazat e reagimit nga ana e autoriteteve komunale. Theks të veçantë në këtë mbledhje, Kryetari Agim Aliu vuri tek dëmi që është shkaktuar sidomos në kulturat bujqësore dhe amvisëri, për të cilat edhe janë formuar dy komisione komunale për vlerësimin e dëmeve, njëri në fushën e bujqësisë kurse tjetri në fushën e shërbimeve publike dhe infrastrukturë. Për kompensimin e dëmeve, pas përgatitjes së raportit detal, Kryetari i Ferizajt, do t’i drejtohet edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht, Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje përmes fondit rezervë.
Edhe anëtarët tjerë të këtij mekanizmi institucional përgëzuan Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për reagimin e shpejt dhe masat që ka ndërmarrë për tejkalimin e kësaj situate.
Në anën tjetër, sa i përket fushës së sigurisë së përgjithshme në territorin e Ferizajt, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Qazim Reka u shpreh se gjendja në përgjithësi është e qetë dhe vazhdimisht po zhvillohen operacione në terren për rritjen e sigurisë publike. Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu kërkoi nga përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, të hartojnë një Plan Veprimi për trafik si përgatitje për të përballuar ardhjen e mërgimtarëve si dhe plan kontrolli për shmangien e aksidenteve fatale, me ç’rast do të rezultonte me rritjen e kontrollit në kafiteri të ndryshme, testeve të alkoolit për vozitësit si dhe masa të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë në trafik.
Edhe në fushën e arsimit nga të pranishmit u shfaqën propozime të ndryshme që do të rrisnin sigurinë në shkolla. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu siguroi përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve dhe gjithë anëtarët e KKSB-së se qeverisja lokale ka një projekt të qartë për rritjen e sigurisë në shkolla, projekt ky që është në fazë përgatitore e që me fillimin e vitit të ri shkollor do të filloj së zbatuari. Në këtë kuadër, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi se me qëllim rritjen e sigurisë së nxënësve dhe ekonomizimin e shpenzimeve të maturës për familjet që kanë fëmijët e tyre maturantë, ka marr vendim që këtë vit mbrëmja e maturës të organizohet dhe mbahet në objekte hoteliere në territorin e Ferizajt, dhe jo siç ka qenë praktikë e deritanishme të mbahet edhe në qytete të tjera të vendit.