Gjatë ditës së sotme, në kuadër të “Dyerve të Hapura” kryesuesja e Asamblesë Komunale të Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi , së bashku me nxënës ka vizituar shkollën e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” dhe Shkollën e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani”.
Gjatë kësaj vizite kryesuesja u njoftua për së afërmi me kushtet që ofrojnë këto shkolla dhe profilet në të cilat përgatisin nxënësit.
Me këtë rast Gashi-Bytyqi ka thënë se Komuna e Ferizajt është duke u angazhuar vazhdimisht që ti mbështes shkollat profesionale me projekte të ndryshme.
“Sot me nxënësit e mi dhe drejtorin e shkollës “Astrit Bytyçi”, vizituam dy shkollat e mesme të larta profesionale të Komunës së Ferizajt, “Zenel Hajdini” dhe “Pjetër Bogdani” me qëllim që nxënësit të njoftohen nga afër me drejtimet profesionale në këto shkolla, të cilat i ofrojnë atyre qasjen më të lehtë në tregun e punës.
Komuna e Ferizajt është duke u angazhuar vazhdimisht që ti mbështes shkollat profesionale me subvencione dhe projekte të ndryshme, në mënyrë që të fuqizohen, sepse Ferizaj është Komunë e bizneseve dhe ka nevojë për profesionistë në këto fusha” ka thënë Kristina Gashi-Bytyqi.