Redaksia e Gazetës Olle ka bërë notimin e futbollistëve dhe trajnerit të Përfaqësueses, pas turpërimit 6:0 nga Kroacia.
Samir Ujkani 5 – Kishte përpara një mbrojtje të përgjumur, por s’bëri pothuajse asgjë për të marrë një vlerësim më të mirë. E vetmja gjë që bëri sonte, ishte nxjerrja e topave nga rrjeta.
Fanol Perdedaj 5 – Paraqitje zhgënjyese. Depërtime dhe aksione pafund nga kroatët, pikërisht në krahun e tij.
Alban Pnishi 4.5 – Inekzistent. Pa siguri. Pa grintë. Natë për t’u harruar.
Avni Pepa 4 – Mario Mandzukic do të shfaqet në ëndrrat e tij sonte. “Pjesëmarrës” pothuajse në të gjithë golat e mysafirëve. Doni ende shpjegime për notën? Besojmë që nuk ka nevojë.
Leart Paqarada 5.5 – Ndoshta pak më i mirë se të tjerët në aspektin defensivë. Ndali disa aksione kroate dhe spastroi shumë herë.
Hekuran Kryeziu 5 – Totalisht i pavërejtur. E zbehtë paraqitja në defensivë, njëjtë edhe në ofensivë.
Valon Berisha 5.5 – Të gjesh pika pozitive në një humbje 6:0 është e vështirë, por Valoni bëri mirë disa herë prapa e përpara. U mundua të nxjerrë skuadrën, por s’e kishte përkrahjen që e pati në ndeshjen e parë.
Bernard Berisha 5 – Shiu i Shkodrës duket që e lagu “motorin” e tij, që s’u ndez sonte. Jo në nivelin e zakonshëm.
Arbër Zeneli 5.5 – Doli në rast ideal, nxjerri disa herë Berishën nga e majta e Rashicën nga e djathta, por nga ai pritej më shumë, sidomos pas asaj që po bën në Holandë.
Milot Rashica 6 – Më i miri. I vetmi që krijoi rastet për Kosovën, sidomos në pjesën e paë. U desh të përfitonte një penallti sikur gjyqtari kryesor të shihte më mirë “hendbollin” kroat në zonë.
Bersant Celina 4 – Dëshironi të dini si luajti sonte Celina? Shikoni reagimin e tij në mbulimin e Mitrovic, i cili realizoi golin e katërt të Kroacisë. Noshalancë e pakuptueshme. Mendjemadhësi e pafalshme. Luan në Real Madrid? Jo, diku në Holandë.
–
Albert Bunjaku 3 – Pati përballë një ndër 10 ekipet më të forta në botë dhe u fut në fushë me katër sulmues (lojtarë ofensivë). Guxim apo amatorizëm? Kjo e dyta mbase më shumë. Përgjigjen s’e japim ne, e jep 6-shja në fushë (0:6). I dështuar totalisht ndryshimi në mbrojtje. Vendosje e ç’akorduar në të gjitha repartet. Përgjegjës kryesor për humbjen turpëruese.
.