28.Nëntor.2017. Shokë të luftës e të paqes u mblodhën për ta vizituar bashkëluftëtarin e tyre Habib Lubovcin nga fshati Grajqevc i komunës së Suharekës, i cili po hynte në shtëpi të re, ndërtimi i të cilës u bë nga pronarët e fabrikës së dyerve dhe dritareve “Kosova Model”, nga Kosharja e Ferizajt.
Ndërtimi i kësaj shtëpie e ka gëzuar ish-luftëtarin e UÇK-së, i cili bashkë me gruan e tij jetonte në një shtëpi e cila ishte gati të rrënohej. Habibi u shpreh shumë falënderues ndaj pronarëve të fabrikës “Kosova Model”.
“Kushtet i kam pasur të vështira, jam edhe i sëmurë, po me vjen shumë mirë, jam shumë i kënaqur kur po i shoh të gjithë shokët, kam shumë emocione, i falënderoj pronarët e “Kosova Model” Milaim Sopën dhe të gjithë stafin edhe bacën Ismail, Amirin, Arsimin, të gjithë i falënderoj dhe të gjithë ata që më kanë përkrahur deri sot, e më kanë ndihmuar, unë jam ndje shumë mirë nuk e kam pritur”,tha Lubovci.
Pronari i fabrikës “Kosova Model” Bekim Sopa, tha se iniciativa për ndërtimin e kësaj shtëpie erdhi nga vëllai i tij i cili ka qenë bashkëluftëtar i Habib Lubovcit.
“Sot e përuruam shtëpinë e bashkëluftëtarit, veteranit të UÇK-së Habib Lubovci, po ashtu sot amanetin e gjyshes dhe gjyshit e çuam në vend, vlen të theksohet edhe prindërit të cilët e kishin një shpirt të madh të humanizmit dhe ne e trashëgojmë atë brez pas brezi dhe nuk është e rastësishme që sot në këtë ditë feste Habibit i përurohet kjo shtëpi, një bashkëluftëtari të vëllait tonë Halilit, i cili e vie si propozim në kompaninë tonë për ngritjen e kësaj shtëpie, është ndjenjë e veçantë sepse ne e kishim edhe prindin i cili ishte me shpirt të madh të humanizmit, prandaj edhe ne kemi emocione sepse Habibi ka qenë në gjendje të vështirë dhe e ka merituar këtë shtëpi”,tha Bekim Sopa.
Ndërsa, kryetari Shoqatës së Veteranëve të Luftës në Suharekë Destan Zekolli, tha në këtë mënyrë po vlerësohet kontributi i Habibit për lirinë e Kosovës.
“Sot kemi edhe festë edhe gëzim për ndërtimin e shtëpisë së Habibit, falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan, Habibi nuk ka qenë më vetëm i familjes së vetë e i Grajqevcit, por momentin që ai ka kapur armën në dorë ka qenë i gjithë popullit shqiptarë, jemi shumë të kënaqur për këtë shtëpi që i është ndërtuar, po shihet që populli shqiptarë përherë e merr atë vijën kombëtare e të humanizmit”,tha Destan Zekolli.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Shtimes Naim Isamajli, tha se kjo vepër humane e familjes Sopa ka nderuar të gjithë veteranët e UÇK-së.
“Ky është një shembull që mund të ndiqet dhe përkrahet nga njerëz të tjerë sepse gjithmonë kur dëshirojmë të ndihmojmë mundësit janë, pra nuk është vetëm të kesh para por të kesh dhe zemër, me këtë kompania “Kosova Model” jo vetëm që ka nderu familjen dhe i ka bërë zgjidhje kësaj familje, por ka nderuar të gjithë veteranët”,tha Naim Isamili.
Humanizmi i pronarëve të fabrikës ‘’Kosova Model’’ është i njohur për shumë familje skamnore, transmeton Televizioni Tema.