Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në vizitën e tij të parë jashtë vendit, në Shqipëri është pritur në takim nga kryeministri Edi Rama. Dy kryeministrat janë pajtuar që qeveritë e tyre të krijojnë një fond të përbashkët për blerjen e përfaqësive diplomatike në botë.
Pas takimeve, të dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë para gazetarëve të pranishëm, ku kanë folur për fuqizimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Haradinaj edhe me këtë rast potencoi se rrugëtimi euroatlantik i Kosovës do të bëhet së bashku me Shqipërinë.
“Jemi të gëzuar që në rrugëtimin tonë si Kosovë dhe shqiptarë kemi sot shumë aleatë të çmuar. Nuk përtoj të them se i takojmë botës që e udhëheq Amerika. Por po ashtu jemi të vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku me Shqipërinë”, tha Haradinaj.
Në takim është biseduar edhe për lehtësime të procedurave ndërmjet dy shteteve, si për biznese ashtu edhe për qytetarët.
“Është fjala për atë që e përmendët edhe ju kryeministër, pra që kalimin kufitar ta kthejmë në një kalim të zakonshëm që është mes vendeve të BE-së, pastaj që mos të kemi dyfishim të procedurave doganore në Durrës, që mos të kemi pengesa administrative për qytetarët tanë, sepse një diplomë apo një certifikatë nuk përputhet me tjetrën. Këto janë masa mëse të nevojshme, dhe është koha për to” , theksoi Haradinaj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënvizoi se pas takimit është shpresëplotë për një përshpejtim edhe më të hovshëm të agjendës së përbashkët të dy qeverive. Duke përmendur pajtimin që kanë pasur në takim, Rama ka përmendur fillimisht mundësinë e lehtësimit të procedurave administrative për shtetasit që punojnë, studiojnë apo jetojnë në të dy anët e kufirit. Përveç kufijve si në vendet e Bashkimit Evropian, Rama ka përmendur edhe ekuivalentimin e diplomave dhe lehtësimin e aksesit në tregun e punës.
Pos kësaj, është biseduar edhe për unifikimin e tregut, duke nënvizuar se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë të jenë modeli që i paraprinë me shembullin e krijimit të zonës ekonomike rajonale.
Përveç bashkëpunimit për të përfituar bashkërisht nga Procesi i Berlinit dhe Fondet IPA, dy qeveritë u dakorduan në fillimin e uljes së shpenzimeve për të mbajtur seli diplomatike, seli përfaqësuese dhe konsullore të përbashkëta dhe jo veç e veç.
“Kemi folur për një Plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një Fondi Imobiliar Shqiptar në Evropë, duke filluar nga kryeqendrat e diplomacisë evropiane, për t’u shtrirë më pastaj pak nga pak më tej, një fond shqiptar imobiliar që do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve. Dhe njëkohësisht do t’iu jap shqiptarëve një adresë”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka risiguruar kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Në konferencë, dy kryeministrat i janë përgjigjur edhe interesimit të medieve lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka siguruar se do të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore me popullin e Malit të Zi.
“Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit dhe ndjenja të mira me popullin e Malit të Zi. Këto 20 vitet e fundit, populli i Malit të Zi nuk është korit me Kosovën, me shqiptarët edhe në kohërat e vështira të krizës, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme nëpër momentet kyçe të Malit të Zi, përfshirë edhe pavarësimin dhe momentet tjera dhe i gëzohemi sukseseve të Malit të Zi.
Tema e shënjimit të kufirit Kosovë-Mal i Zi, është në një situatë ku Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet politike që ka. Kur kemi një situatë të re, me siguri që do t’i drejtohemi vendit fqinjë, pra kur kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë, besoj që të gjithë mund ta qojmë një porosi, se interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi t’i forcojmë” ka thënë kryeministri Haradinaj.
Nga ana e tij, kryeministri Rama ka kërkuar zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.
“Në këtë pikë unë dua të jem i hapur dhe i sinqertë. Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më parë e këtij problemi, i cili është kthyer në një ngërç në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare.
Natyrisht, ka një proces të natyrshëm kalimi nga opozita në Qeveri, kështu që kryeministri kërkon edhe pak kohë besoj, që të ndahet nga pozicioni i tij opozitar ndaj këtij problemi, ashtu si kundër unë do të doja që të mos e shikoja kryeministrin e deridjeshëm të Kosovës që të shkonte tek një pozicion opozitar në raport me një çështje, për të cilën ai ka qenë dakord dhe madje ka fajësuar opozitën e deridjeshme.
Është një problem, i cili nuk është problem i Malit të Zi, është një problem politik brenda Kosovës dhe do ta zgjidhë Kosova në funksion të ardhmërisë së vet.
Mali i Zi është një vend dhe një popull mik i padiskutueshëm, me të cilin shqiptarët kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Shqiptarët kanë shpëtuar dy herë Malin e Zi në kuptimin më të mirë të fjalës dhe janë aty një faktor garance për të gjithë procesin ku Mali i Zi ka hyrë me një kurajë të jashtëzakonshme, me një lidership të jashtëzakonshëm, si një model frymëzues se çfarë një vend shumë i vogël mund të bëjë kur i thërret dinjitetit të vet në momentet e udhëkryqeve historike” tha kryeministri Rama.
Në takimin e Ramës bashkë me kryeministrin Haradinaj, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe ministrat e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ministri i Shtetit për Diasporë, Pandeli Majko, ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe ai i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.