Vlerësimet e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, institucioneve qendrore dhe lokale në fushën e transparencës, tash e sa kohë, kanë ranguar Komunën e Ferizajt ndër komunat me transparencën më të lartë në nivel të gjithë Kosovës. Së fundmi nga Instituti Demokratik i Kosovës/KDI, është publikuar Indeksi vjetor i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2021, dokument ky që rangon komunat të cilat tregojnë përkushtim për rritje të transparencën në nivelin lokal.
Nga ky Indeks, Komuna e Ferizajt, renditet në mesin e katër komunave të mëdha me shkallën më të lartë të transparencës, pasuar nga komuna tjera të mëdha si Peja, Prizreni, Gjilani, Podujeva e komuna të tjera. Vlerësimi i kësaj organizate, përmes indeksit vjetor të transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2021, shtrihet në disa shtylla, përkatësisht në 8 shtylla, siç janë: Prokurimi publik në nivel lokal, buxhetimi dhe financat publike, qasja në dokumentacion dhe informacion publik, pjesëmarrje publike, grantet dhe subvencionet, etika profesionale dhe konflikti i interest, menaxhimi i pronës komunale dhe ankandet, ndërmarrjet dhe organizatat komunale.
Vlen të theksohet se në shumicën e shtyllave që janë pjesë e këtij vlerësimi, Komuna e Ferizajt renditet në vendet e para, kurse veçanërisht në shtyllën që ka të bëj me transparencën e granteve dhe subvencioneve zë vendin e parë me pikët maksimale, vendin e parë zë në fushën menaxhimi i pronës komunale dhe ankandet, në shtyllën etika profesionale dhe konflikti i interest zë vendin e dytë, po kështu vendin e dytë e zë edhe në fushën e prokurimit publik në nivel komunal, vendin e tretë në shtyllën buxhetimi dhe financat publike e kështu me radhë sipas matjeve e vlerësimeve nga ky indeks.
Ky indeks i transparencës komunale për vitin 2021, realizuar nga organizata KDI, është edhe një dëshmi për kursin e ri që ka vendosur qeverisja lokale e drejtuar nga Kryetari Agim Aliu, ku tash e sa vite, Komuna e Ferizajt renditet në majat e komunave më transparente në nivel të Republikës së Kosovës.