Këtë të shtunë 963 fermerë janë furnizuar me farë misri, subvencion nga komuna e Ferizajt.
Se interesimi për kulturën e misrit është shtuar dukej sot, kur komuna shpërndau rreth 1000 thasë farë të kulturës së misrit, ishte një numër i madh i fermerëve ferizajas.
Shpërndarjen e farës së misrit kishte dalë ta përcjell edhe Xhemajl Reçica i cili tha se interesimi për këtë kulturë është në rritje ku po shihet edhe me interesimin e këtyre fermerëve.
“Në krahasim me vitin e kaluar interesimi është rritur për mbi 80%. Vitin e kaluar kemi shpërnda farë për 500 hektarë ndërsa këtë vit kemi 963 fermer të cilët kanë më shumë se një hektar me misër pa llogaritu ata të cilët kanë nën një hektarë. Vlera e këtyre subvencioneve është rreth 28 mijë euro të cilat i mbulon komuna. Për hektarët e planifikuar të mbillen këtë vit është planifikuar që komuna të subvencionoj 50% të farës ndërsa 50 % do të mbulohet nga fermerët.Këtë vit kemi ndërruar dhe kemi kontraktuar farën e cila edhe më parë ka qenë më produktive në trevën tonë dhe besoj që këtë vit do të kemi rendimente më të larta” tha Reçica.
Por edhe fermerët të cilët po pritnin në radhë për të marrë farën ishin falënderues për këto subvencione e cila do tu lehtësoi që të mbjellin ata hektarë që kanë planifikuar.
“Këtë vit kam planifikuar të mbjellë me misër rreth 11 hektar për çka sot nga komuna mora 11 thasë me farë. Edhe pse kjo nuk është e mjaftueshme për të 11 hektarët, por sa dëgjova, subvencioni është 50/50 dhe pjesën tjetër do e mbulojmë ne” tha Arben Bytyqi nga fshati Tërrn i cili për subvencione kishte aplikuar me 11 hektarë tokë për mbjellje me kulturën e misrit.