Ferizaj.20.02.2018. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtorë komunal dhe stafi i tij gjatë ditës së sotme ka pritur drejtues të GIZ-it gjerman, zyra në Kosovë.
Në këtë takim janë diskutuar një mori çështjesh, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me implementimin e projekteve të përbashkëta që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, si dhe arsimin profesional, përkatësisht punësimin e të rinjve.
Drejtuesit e kësaj organizate njoftuan Kryetarin Aliu dhe përfaqësuesit tjerë komunal për projektet që po zhvillohen nga kjo organizatë në Ferizaj si dhe planet për vazhdimin e tyre në të ardhmen.
Në planin e arsimit u diskutua për aplikimin e projekteve të përbashkëta që do të nxisnin përfshirjen e të rinjve në arsimin profesional, që njëherit paraqet edhe rrugën më të shpejt për punësimin e tyre, po kështu edhe realizimin e Fondit të Punësimit për të rinjve dhe politikave e projekteve që do të ndërmerren në këtë drejtim.
Në planin ekonomik, në këtë takim u diskutua për stimulimin e eksportit të produkteve vendore, gjegjësisht projekteve të përbashkëta që synohen të realizohen në ndërveprim mes institucionit të komunës dhe kësaj organizate.
Kryetari Aliu duke falënderuar zonjën Julia Becker dhe përfaqësuesit tjerë të GIZ-it gjerman për vizitën dhe projektet që po zbatojnë tash e sa kohë në Komunën e Ferizajt, njoftoi për planet e qeverisjes lokale për zhvillimin ekonomik dhe politikat e punësimit, veçanërisht për të rinjtë. Në këtë çështje, pati shumë pika të përbashkëta mes përfaqësuesve të dy institucioneve.
Kryetari Aliu siguroi përfaqësuesit e GIZ-it gjerman se Komuna e Ferizajt është e gatshme të filloj realizimin e shumë projekteve që do të ndikojnë në rritjen e punësimit dhe zhvillimin e mëtejmë ekonomik të Ferizajt.