Ferizaj.03.12.2016. Të shtunën Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj, ka bërë shpërndarjen e fidanëve të mjedrës për 50 fermerë ferizajas.
Sipas drejtorit të bujqësisë në Ferizaj, Ismet Vranovcit, fermerët që kanë përfituar nga ky subvencion i komunës, do të mbjellin nga 20 ari sipërfaqe të tokës së tyre. Vranovci tha se do të shtohen edhe 10 hektarë me kulturën e mjedrës në komunën e Ferizajt.
“Janë gjithsejte 50 përfitues, prej tyre janë 17 femra të cilat janë mbajtës të familjes, ka studente, familje të dëshmorëve dhe të gjithë këta fermerë mund të bëjnë mbjelljen e tyre menjëherë pasi kushtet klimatike janë të mira”, ka thënë Vranovci.
Ndërsa fermerët të cilët përfituan nga Komuna, thanë se janë mirënjohës të gjithë atyre që ndihmuan me këtë kulturë të mjedrës.
U bë e ditur se vlera e këtij projekti ka shumën rreth 62 mijë euro. Komuna e Ferizajt, gjatë këtij viti, ka subvencionuar qytetarët e saj me lopë qumështore, sistem të ujitjes, makina mjelëse si dhe subvencione të tjera.