Nuk po mallkojmë errësirën shekullore që na detyroi të mbijetojmë përmes tragjedive të mëdha, por po synojmë të ndezim një dritë qiriri dhe shprese për të dallë nga errësira në dritën e diturisë dhe të shpëtimit.
Mjaft vepruam si individë.
Kombi ka nevojë për mendësi të reja pragmatiste që zgjidhin problemet.
Situata kaotike në mbrojtjen e interesave kombëtare na ka dhënë shumë pak çelsa në dorë për të kuptuar dhe hapur dyert e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të përcaktuar saktë bazën ideologjike të rrugëve të bashkimit kombëtar, të organizimit të vetëdijes kombëtare, patriotizmit të vërtetë dhe zgjidhjeve pragmatiste drejt shtetit-komb.
Jemi përballë ndikimeve të forta të globalizimit, çështjeve të pazgjidhura etnike, terrorizmit ndërkombëtar, rrezikut bërthamor, rrezikut bakterologjik (pandemive) dhe krizës financiare botërore, duke nënvleftësuar efektet negative të tendencave botërore dhe rajonale; luftën për pasuritë, burimet e energjisë dhe territoret.
Synim tinzar drejt tronditjes së bindjeve dhe vetëdijes kombëtare të popujve, për t’iu nënshtruar ankthit, frikës, agresivitetit luftnxitës, luftës hibride për të hequr dorë nga aspirata e shtetit-komb.
Patriotizmi është vënë përballë neoliberalizmit, antikombëtarizmit dhe mungesë së kurajos së klasës politike shqiptare për t’u përfshirë pa lëkundje në proceset kombëtare, përballë luftës hibride dhe kurthit të shërbimeve inteligjente, presioneve psikologjike dhe politike të shteteve që shkaktuan tragjedinë e coptimit të kombit shqiptar në vitin 1913.
Ata sot duan ta detyrojnë patriotizmin të heshtë.Ndodhemi nën presionin e fuqishëm psikologjik të goditjes në front me anë të luftës hibride të shteteve sllave të Lindjes për të raskapitur dhe ç’kurajuar përpjekjet kombëtare, duke tentuar ta shtyjnë politikën dhe patriotizmin në rrugë të gabuara, për të shpezuar pa efektivitet energjitë dhe fuqinë kombëtare, për të hequr dorë nga aspirata e popullit për bashkim kombëtar.
Lufta hibride kundër kombit shqiptar po nxit mosbesimin dhe kapitullimin duke ngritur barriera të fuqishme, për ta mbajtur kombin të coptuar dhe të nëpërkëmbur.
Kështu ka ndodhur, kështu po ndodh, në thelb asgjë nuk ka ndryshuar. Shtetet rajonale në kufijtë e kombit shqiptar armatosen përditë, duke u kthyer në kërcënim serioz kundër çështjes shqiptare dhe ardhmërisë kombëtare.
Jemi kombi më i paarmatosur në Evropë.Jetojmë në një mjedisi gjeopolitik me shumë probleme, ku nuk mund të flitet për paqe, siguri dhe bashkëjetesë, por të kërcënuar me rrezikun e ballafaqimeve hibride dhe ushtarake, që synojnë nëpërkëmbjen e kombit shqiptar.
Në rivalitetin global dhe rajonal jemi nën ndikimin e fortë të vatrave të nxehta të luftës, të emigracionit të pandalshëm, të cilat shtojnë rrezikun ndaj kombit shqiptar në konflikte të mundshme ushtarake me synime goditjen dhe “pushtimin në paqe”.
Strategjia Kombëtare si vizion që duhet zbatuar.
Hyzri Salihu