Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Lorenzo D’Addario, ka thënë se Kosova është vend i sigurt dhe nuk ka vend për frikë.
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Lorenzo D’Addario, ka thënë se nuk ka asnjë element që tregon se mund të ketë ndonjë incident në Kosovë.
D’Addario, shtoi po ashtu se KFOR-i, është i angazhuar plotësisht në kryerjen e mandatit të tij në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në një intervistë dhënë për revistën “Uniteti”, transmeton lajmi.net, D’Addario, kërkoi nga përfaqësuesit politik që të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre nëpër medie, pasi që sipas tij, deklaratat se në Kosovë mund të ketë ndonjë incident janë deklarata të pa matura.
Ai ka thënë se KFOR-i mban vazhdimisht marrëdhënie të mira me institucionet në Kosovë si dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, në mënyrë që të parandalohen ngjarjet e papritura që mund të jenë të dëmshme për Kosovën dhe Serbinë.
“KFOR-i ishte dhe është gjithnjë i paanshëm në kryerjen e misionit të tij për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fesë apo vendbanimit të tyre. Ne jemi të gatshëm të sigurojmë siguri kudo dhe kurdo që është e nevojshme”, tha D’Adario, transmeton lajmi.net.
Gjeneral-major Lorenzo D’Addario, në këtë intervistë ka folur edhe marrëveshjen e Brukselit, marrëveshje kjo e cila mundëson hyrjen e forcave speciale të Kosovës në veri vetëm me miratimin e autoriteteve lokale ose me lejen e kryetarit të pjesës veriore.
Sipas tij, KFOR-i ka respektuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese, por gjeneral-major Lorenzo D’Addario, ka thënë se për këtë çështje është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se, Kosova ka Policinë e saj dhe Ushtrinë.
“Roli kryesor i Policisë së Kosovës është të garantojë zbatimin e ligjeve, të cilat ata mund të bëjnë në tërë territorin e Kosovës pa kërkuar leje. Policia gjithashtu ka disa njësi të posaçme të tilla si Njësia e Posaçme Operacionale dhe Njësia Speciale për Ndërhyrje, dhe si të tilla mund të kryejnë mandatin e tyre për zbatimin e ligjeve në tërë Kosovën pa nevojën për autorizim. Nga ana tjetër, sipas marrëveshjes së mëparshme, Forcat e Sigurisë së Kosovës duhej të merrnin leje nga komandanti i KFOR-it përpara çdo vendosjeje në veri të Kosovës. Deri më tani, kurrë nuk ka ndodhur që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë dërguar në veri të Kosovës dhe ne presim që institucionet në Kosovë të vazhdojnë të respektojnë atë marrëveshje”, tha D’Adario transmeton më tutje lajmi.net.
Komandanti i KFOR-it në këtë intervistë po ashtu ka folur edhe për sigurinë në Kosovë. Sipas tij, nuk ka vend për frikë dhe se KFOR-i është ai që e garanton një gjë të tillë dhe e garanton atë që quhet “një skenar pa surprizë”.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Lorenzo D’Addario, në fund të kësaj interviste theksoi se KFOR-i është për të siguruar dhe përmirësuar jetën e të gjithëve që jetojnë në Kosovë.