28,11,2024

Kisha e fshatit Nikadin

Must Read

        Kur jemi te trashëgimia kulturore dhe historike mund të themi se treva e Ferizajt, paraqet njërën ndër trevat më të pasura në gjithë vendin, sa i përket thesarit arkeologjik dhe trashëgimor, duke na dhënë  informacione se kjo trevë, ka qenë e banuar që nga periudha e hershme historike, ku  gjurmë të qytetërimit kemi hasur në periudhën antike përkatësisht në mijëvjeçarin VI p.l.k, duke na ofruar të dhëna se kultura materiale është e një rëndësie të veçantë, që  bëre këtë trevë mjaftë reprezentative, po ashtu nga  të dhënat  që posedojmë mund të konkuldojmë se kemi të bëjmë me një trevë e cila ishte mjaftë e pasur dhe që ka një vijimësi pothuajse në çdo periudhë historike duke  nisur nga periudha e neolitit, bronzit, të hekurit për të vazhduar me të dhëna historike nga qytetërimi dardan, më pas ardhja e krishterimit  të hershëm në trevat e Dardanisë, duke  përfshirë edhe trevën e Ferizajt  e cila  ishte pjesë integrale e proceseve politiko-shoqërore të cilat e  përcjellën  këtë hapësire gjeografike në periudha të ndryshme historike. Andaj rëndësia e këtij shkrimi ka për qëllim t’i ofrojë lexuesit informacione me rëndësi për trashëgiminë kulturore e cila është mjaftë e pasur. Nga gërmimet arkeologjike të bëra në lokalitetin e njohur si Kisha paleokristiane që gjendet në fshatin Nikadin rezultuan me gjetjen e një kishe të periudhës së  shek.IV e.s.

Kapakët e Sarkofagut

        Gjendet afër  qytetit të Ferizajt, i pozicionuar në një tokë bujqësore. Gjatë viteve 60-ta, të shekullit XX-të, janë evidentuar gjurmë sipërfaqësore të mbase ndonjë kompleksi të vilave romake. Megjithatë  gjatë kjo doli në pah pas rregullimit të oborrit të një shtëpie, ku në arealin e këtij lokacioni, rastësisht u zbulua një artefakt  shumë i rrallë dhe mbase unik për trevën e Ferizajt dhe më gjerë. Kemi të bëjmë me një kapak sarkofagu- (sarcophagus – arkivol apo arkë për vendosjen e kufomës), punuar tërësisht nga guri gëlqeror i mermerizuar në trajtë të çatisë së shtëpisë, ku dominojnë dekoret me motive antropomorfe (figurë njeriu) në akse dhe motive  floreale në front. Ky kapak sarkofagu i përket periudhës romake fundi i shekullit III e.s. fillimi i shekullit të IV e.s. Ky kapak Sarkofagu u gjend rastësisht në oborrin e vëllezërve Berisha në Nikadin. Po ashtu në vendin ku është gjetur kapaku i sarkofagut, janë zhvilluar disa sondazhe arkeologjike (2007) që rezultuan me gjurmë të një kishe me përmasa jo të mëdha, ndonëse mjaftë e dëmtuar i përket  periudhës së krishterimit të hershëm (shekujt IV-VII e.s.), e plotësuar me disa spolje (material i ripërdorur) të plastikës dekorative sepulkrale të periudhës romake (shekujt III-IV e.s.).

fig. 01 motive antropomorfe (figurë njeriu) në akse që është  konstatuar se përket  një luftëtari frigias.

fig.02  Pamje gjatë procesit të gërmimeve arkeologjike nga ana e Institut Arkeologjik të Kosovë të bëra  në lokalitetin e fshatit Nikadin

       Lidhur me rëndësinë e kapakëve të sarkofagut na japin informacione edhe arkeologët, ku ndër të tjera, thonë se kapakët i takojnë tipit çati në dy ujëra, që është një nga trajtat më të shpeshta të sarkofagëve në të gjithë hapësirën e Dardanisë. E cila kishte një shtrirje mjaftë gjerë në pjesën qendrore të Gadishullit Ilirik (pas vitit 1800 u emërtua si Gadishull Ballkanik për shkaqe politike). Në shek.IV p.e.s u krijua Mbretëria Dardane, e cila përfshinte  territorin e  sotëm të Kosovës dhe  të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri te qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Andaj treva e Ferizajt, ka një pasuri të rëndësishme që plotëson fondin arkeologjik të muzeut në qytetin e Ferizajt, ku në mesin e artefakteve me rëndësi historike dhe trashëgimore janë edhe dy kapakët e Sarkofagut, të cilët prezantojnë vlerat e hershme të jetës  shoqërore dhe religjioze që ishte në Dardani gjatë periudhës paleokristiane (shek.IV e.s.) dhe njëkohësisht tregon për kontinuitetin historik që nga periudha neolitit për të vazhduar në atë bronzit për të përfunduar me atë të hekurit, ku vizitorët e muzeut do të kenë rastin t’i shohin eksponatet përfaqësuese te periudhave të përmendura më lartë.    

fig.03 Duhet  thënë po ashtu se dimensionet e kapakut  të Sarkofagut janë 108x45x42 cm.

fig.04 Sarkofagu i dytë ë është i përmasave më të vogla.

Ilir Bytyçi- Përgjegjës për  Trashëgimi dhe Muze

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img