Ferizaj.24.11.2018. Në prag të edicionit të sivjetmë të Festivalit “Kosovarja Këndon” dhe shënimit të 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968, ngjarje këto për të cilat në Ferizaj do të mbahen manifestime kulturore nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, pasditen e sotme, drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, ka mbajtur konferencë për media.
Në këtë konferencë, drejtorja Murati Shabani ka prezantuar sfidat dhe sukseset e kësaj drejtorie gjatë dhjetë muajve të qeverisjes. Përveç aktiviteteve tashmë identitare për kulturën ferizajase, siç janë Festivali i Teatrove që këtë edicion pati nderin të mirëpres aktorët me renome botërore, Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj, Festivalin e Muraleve, Festivalin e Filmit, Sportistin e Vitit dhe Artistin e Vitit, Ditët e Kulturës dhe Ditët e Diasporës, 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, drejtorja Murati Shabani ka veçuar organizimin e 20 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Jezercit e cila pati disa aktivitete që u organizuar për herë të parë në qytetin tonë. Madje, ajo shtoi se nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, këtë vit u organizuan mbi 150 aktivitete kulturore, rinore dhe sportive.
Ndër sukseset kryesore të kësaj drejtorie gjatë kësaj periudhe qeverisëse janë përmirësimi i infrastrukturës kulturore, rinore dhe sportive, krijimi i infrastrukturës së nevojshme ligjore për institucionet e kulturës, në rastin konkret të Teatrit “Adriana” i cili për herë të parë ka hartuar Statutin e këtij institucioni, po kështu edhe repertorin e shfaqjeve të këtij institucioni, për herë të parë edhe kjo arritje, e realizuar me insistimin dhe angazhimin e Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana”.
Drejtorja e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani, ka theksuar se shumë shpejt Ferizaj do të ketë Muzeun e Kujtesës, zotim ky i Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, për të cilin është propozuar si çështje për miratim në seancën e radhës të Kuvendit të Komunës.
Duke shpalosur detaje nga aktivitetet që do të realizohen në javën e ardhshme përkatësisht me datat 26 dhe 27 nëntor, drejtorja Murati Shabani njoftoi agjendën për shënimin e 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968, organizim ky i përbashkët me Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës që do të mbahet më 26 nëntor, si dhe Festivalin “Kosovarja Këndon” në edicionin e 46 të tij, ku do të ketë risi, me pjesëmarrjen e artistëve nga trevat të ndryshme shqiptare, si Tropoja, Gostivari dhe të tjera. Në edicionin e sivjetmë të Festivalit “Kosovarja Këndon” që do të mbahet më datën 27 nëntor, do të paraqiten 20 kandidate, ku edhe do të ndahet Çmimi Special me emrin e ikonës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, ftesë së cilës i ka bërë Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Ferizaj.
Në këtë konferencës, drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani paraqiti edhe sfidat e kësaj drejtorie siç janë mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për aktivitetet kulturore, rinore dhe sportive si dhe mungesa e hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin e aktivitete të kësaj drejtorie.
Deklaratën e plotë mund ta ndiqni në videon e bashkëngjitur të konferencës për media.
Këtë vit në Ferizaj u organizuan mbi 150 aktivitete kulturore, rinore e sportive
Must Read