Prokurorët në Munih kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për dy ish oficerët e shërbimit sekret jugosllav, Josip Perkoviç dhe Zdravko Mustaç, për vrasjen e një emigranti kroat.
Të dy burrat, të cilët janë në gjyq që prej tetorit 2014, akuzohen për urdhërim, planifikim dhe organizim të vrasjes së emigrantit kroat Stjepan Djurekoviç në Gjermani në vitin 1983.
Prokuroria tha se të akuzuarit meritonin dënim me burgim të përjetshëm, sepse ata morën pjesë në vrasje dhe jo vetëm e nxitën atë, shkruan Reporter.al
Prokurori i lartë i shtetit Lienhard Weiss paraqiti prova të detajuar para gjykatës të çelësit të garazhit ku u vra Djurekoviç dhe të strukturës së Shërbimit Shtetëror të Sigurimit, SDB, dhe rolit që Perkoviç dhe Mustaç kishin në të.
Weiss deklaroi se SDB e konsideronte vrasjet e emigrantëve një veprim të ligjshëm, duke theksuar se një numër emigrantësh u vranë nga SDB-ja gjatë viteve.
Ai u shpreh gjithashtu se SDB-ja e intensifikoi numrin e vrasjeve jashtë vendit pas vdekjes së presidentit jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1980.
Kolegu i Weiss, Stefan Weiland, e përshkroi Mustaç si personin lidhës midis SDB-së dhe autoriteteve jugosllave, duke përmendur gjithashtu dëshmitarë që e përshkruan Perkoviçin si një figurë tepër të rëndësishme në luftën e shtetit komunist jugosllav kundër emigrantëve politikë.
Weiland përshkroi marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe shtetit të atëhershëm Gjerman Perëndimor, dhe sesi çështjet brenda SDB-së u caktoheshin personave të ndryshëm, “agjentët e të cilëve ishin në pozitën më të mirë për të vepruar”. Ai pohoi gjithashtu se zyrtarët jugosllavë informoheshin gjithmonë për të gjitha veprimet e mëdha të ndërmarra nga SDB-ja.
“Nuk kishte asnjë veprim të madh jashtë shtetit në të cilin zyrtarë në nivel kombëtar dhe federal jugosllav nuk ishin të përfshirë,” tha ai.
Avokati i Perkoviç, Ante Nobilo, tha se prokuroria kishte shmangur dy fakte tepër të rëndësishme. Njëri ishte se nuk kishte asgjë provë që vrasësit e pritën Djurekoviçin në garazhin ku ai u vra dhe se ish-agjenti i shërbimeve sekrete dhe dëshmitari i gjykatës, Krunoslav Prates, nuk mund ta dinte se kur Djurekoviçi do të ishte në garazh apo ta ndante atë informacion me Perkoviçin.
Sipas aktakuzës, Zdravko Mustaç, kreu i shërbimit të sigurimit të shtetit jugosllav në atë kohë, e urdhëroi Perkoviçin të organizonte vrasjen e Djurekoviçit në vitin 1983.
Motivi i dyshuar i vrasjes ishin kritikat e Djurekoviçit ndaj regjimit komunist në Jugosllavi.
Si Mustaç ashtu edhe Perkoviç e kanë deklaruar veten të pafajshëm. Pasi mbrojtja të bëjë fjalim e saj mbyllës, gjykata me shumë gjasa do ta japë vendimin javën e ardhshme.