Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se nga data 01.06.2025 ka filluar furnizimin me energji elektrike si FMF, për kompanitë në treg të lirë, për një periudhë maksimale prej 60 ditësh, periudhë kjo që përfundon me datë 30.07.2025.
KEK ka thënë se ky furnizim është i përkohshëm dhe rrjedh nga detyrimet dhe të drejtat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Rregulloren për FMF, dhe ka për qëllim të ofrojë kohë të mjaftueshme për konsumatorët që të gjejnë një furnizues afatgjatë të licencuar nga ZRRE.
“Pas datës 30.07.2025, të gjithë konsumatorët që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar, do të mbesin automatikisht pa furnizim me energji elektrike nga FMF, pasi që pas këtij afati përfundon e drejta ligjore për furnizim. Ju inkurajojmë fuqishëm që sa më shpejt të kontaktoni një furnizues të licencuar nga ZRRE dhe të nënshkruani një marrëveshje komerciale për furnizim me energji elektrike, në mënyrë që të siguroheni që pas datës 30.07.2025 të mos ketë ndërprerje në furnizimin tuaj”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Lista e furnizuesve të licencuar mund të gjendet në faqen zyrtare të ZRRE-së: www.ero-ks.org