26,12,2024

Karteli i kafiterive në Ferizaj

Must Read

Shkruan: Blerta Begisholli

Në fillim të këtij muaji qytetarët ferizajas u përballën me ngritje të çmimit të kafes në Ferizaj. Dhe jo në një a në dy kafiteri, po në shumicën e kafiterive të qytetit. Prej €0.50 sa ishte në fillim, në €0.70 apo €1. Kjo ngritje, pikërisht gjatë kohës së verës, është e papërballueshme për qytetarët e sidomos për të rinjët e qytetit, të cilët kalojnë shumicën e kohës aty meqë janë të papunë.

Në edicionin e lajmeve të datës 06 të këtij muaji në Tv Liria Armend Pajaziti, njëri prej pronarëve të kafiterive si pa të keq tha ‘para një viti e gjysmë i kemi ba planet që ka me ardhë një ditë ku kemi me i rritë çmimet. Disa kafiteri kanë vendos me i rritë çmimet dhe të tjerat janë bashku vullnetarisht.‘ Si duket ata nuk janë në dijeni që një gjë e tillë është e ndaluar me ligjin për konkurrencë në Kosovë.

Kisha dijeni që një gjë e tillë është rreptësisht e ndaluar për shtetet e Bashkimit Evropian, meqë këtë e kam fushë të studimit, por nuk isha e sigurtë nëse një gjë e tillë vlente për Kosovën. Por me pak hulumtim, fare lehtë mund të gjindet Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës në Kosovë, që është i publikuar në gazetën zyrtare të Ministrisë së Tregtisë. Sipas nenit 4 të këtij ligji ndalohet rreptësisht marrëveshja ndërmjet dy apo më shumë ndërrmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura në mes të shoqatave të ndërrmarjeve dhe praktikat e bashkrenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Por pse egziston një ligj i tillë. Shumë kompani të ndryshme që prodhojnë produkte ose ofrojnë shërbime të njëjta (psh. prodhues të sheqerit, kompani softwerike, kompani për prodhimin e letrës, kafiteri etj), në vend që të garojnë në mes vete dhe t‘u ofrojnë qytetarëve çmimin më të lirë për atë produkt ose atë shërbim, ato bëjnë një marëveshje për fiksimin e çmimeve (ose rritjen e përnjëhershme të tyre) që ndryshe quhet kartel. Kështu qytetarët nuk do të kenë mundësi që të zgjedhin atë produkt ose shërbim me çmim më të ulët por do të jenë të detyruar që ta blejnë atë me çmimin e ngritur. Në këtë mënyrë të gjitha kompanitë do të jenë të kënaqura sepse të gjitha do të fitojnë më shumë.

Në Kosovë një praktikë e tillë është relativisht e re, meqë vet ligji daton prej vitit 2010 dhe ndoshta shumica e bizneseve nuk janë në dijeni për një rregullim të tillë. Në shtetet e BE-së ky rregullim është që prej vitit 1962. Deri më tani Komisioni Evropian, i cili është autoriteti kryesor kompetent për zbatimit të ligjit në fushën e konkurrencës, ka dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë(GJED) qindra kompani evropiane dhe botërore, dhe shumica prej tyre janë gjobitur me shuma marramendëse për marrëveshje të tilla. Në vitin 2014 kjo gjykatë ka dënuar me €992 milion katër kompani: Kone, Otis, Schindler dhe ThyssenKrupp për fiksimin e çmimeve në tregun për instalimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve. Biles në këtë rast GJED ka shkuar edhe më larg, duke deklaruar se nëse kompanitë e tjera jashtë kartelit kanë pësuar dëme ekonomike, këto dëme duhet të paguhen nga kompanitë që e kanë formuar kartelin. Një rast tjetër ëshët dënimi në vlerë prej €648 milion për gjashë kompani të prodhimit të paneleve LCD, për fiksim të çmimeve në treg. Ka dhe qindra e qindra raste të tjerë të dënimeve të këtyre karteleve dhe të gjitha formave të tjera të kufizimit të kompetencës së drejtë dhe fer. Ky ligj është njëri prej fundamenteve kryesore për ta mbajtur një ekonomi të shëndetshme dhe konkuruese për të gjithë pa dallim.

Kjo nuk është marrëveshja e parë e bërë mes kafiterive. Më kujtohet dimrin e kaluar, teksa provova të porosis një kafe, kamarieri i njërës prej këtyre kafiterive si pa përtim më kujtoi që kishte kaluar ora 8 dhe se pas kësaj ore nuk shërbenin kafe. Duhej me patjetër të porosisja ndonjë pije të ftohtë. Dhe ishte mesi i dimrit. Kur e pyeta për arsyen e këtij rregulli, më tha se ashtu ishin dakorduar të gjitha kafiteritë e se ata nuk mund të vepronin ndryshe. Më shkoi buza në gaz se më tregoi aq hapur, sikur kjo gjë të ishte dicka krejt normale.

Në anën tjetër pronarët e këtyre lokaleve edhe mund të kenë të drejtë të ankohen. Çdo dryshimi të TVSH-së apo akcizës ata kanë të drejtë ti përgjigjen me rritje të çmimeve sepse ashtu funksionon ekonomia. Por nëse akciza është rritur në alkool, duhet të rritet çmimi i alkoolit e jo çmimi i kafes.  Dhe për të gjitha këto kafiteritë duhet të veprojnë si akterë individual, sepse kjo është baza e tregëtisë së lirë. A ekziston rreziku që ndonjëra prej tyre të falimentoj duke i rritur çmimet. Po ekziston. Por nese nje kompani nuk eshte e konkurueshme ne treg në krahasim me kafiteritë e tjera, ekzistenca e atij biznesi në një treg të tillë vihet në pikëpyetje.  Dhe në fund të ditës qytetarët duhet të kenë të drejtën të konsumojnë produkte dhe të shërbehen me çmime që janë më të favorshmet për ta.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img