Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj Hekuran Murati, sipas të gjitha gjasave do të jetë kandidati më i votuar në komunën e Ferizajt në këto zgjedhje.
Kur ende nuk janë numëruar votat nga diaspora dhe ato me kusht, Murati vetëm në komunën e Ferizajt ka marrë mbi 20 mijë vota.
Përpos Muratit, numër të madh të votave kanë grumbulluar edhe 7 kolegët e tij nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, thonë përfaqësues të këtij subjekti politik.
“Kemi dyfishim të votave në Ferizaj, mbi 31 mijë vota janë të numëruara duke mos përfshirë këtu edhe votat me kusht dhe të mërgatës. 9 kandidatë që kanë qenë brenda listës së Vetëvendosjes me origjinë nga Ferizaj të njëjtit do të jenë deputetë meqenëse secili prej tyre ka pasur më tepër se 4 mijë vota”, tha Liridona Gashi, sekretare e LVV-së në Ferizaj.
Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, thonë se ka mundësi që në ulësen e deputetit të ulen tre kandidatë nga kjo degë.
“Nga dega jonë janë 9 kandidatë dhe presim që në parlamentin e ardhshëm të jenë 2 ose 3 kandidatë, po presim gjithsesi Ilmi Reçica që ka mbi 6 mijë vota, por presim që të shkojnë edhe Adelina Grainca dhe Kristina Gashi-Bytyçi. Ky rezultat nuk është i kënaqshëm, por ky është rezultati zgjedhor”, tha Arian Imeri nga dega e PDK-së në Ferizaj.
Balton Dërguti nga Lista Vjosa thotë se numër të madh të votave kanë marrë edhe Burim Karameta e Ekrem Mustafa.
“Duke pasur parasysh që lista Vjosa ka qenë e themeluar një muaj para datës së zgjedhjeve ne në këtë periudhë kemi arritur të tregojmë një rezultat shumë të mirë, pasi kandidatët tanë sillen mbi 7 mijë vota dhe janë me gjasë për të hyrë në Parlamentin e Kosovës. Kandidatët tanë vetëm në Ferizaj kanë marrë mbi 4 mijë vota”, tha Balton Dërguti nga Lista Vjosa.
Ndër kandidatet femra që është votuar mjaft shumë në Ferizaj është edhe Kristina Gashi-Bytyçi nga lista e PDK-së.
“Falënderoj qytetarët e Ferizajt për edukatën e qetësinë e treguar gjatë zgjedhjeve sepse kemi qenë një shembull i mirë dhe dua ta uroj fituesin e këtyre zgjedhjeve duke uruar që së shpejti të formojnë institucionet. Sa i përket mbështetjes së qytetarëve si kandidate falënderoj edhe subjektin, por edhe qytetarët që më kanë dhënë mbështetjen, nuk jam e zhgënjyer, kam pasur mbështetje mjaft të mirë, kam pasur mbi 30% të votave të subjektit të PDK-së në Ferizaj. Deri më tani pa numërimin e votave me kusht dhe të diasporës kam arritur t’i kem 3 mijë e 557 vota, por patjetër që pres mbështetje edhe nga komunat e tjera”, tha Gashi-Bytyçi.
Më të votuarit nga LDK-ja e Ferizajt janë Muharrem Svarqa dhe Saranda Musliu, edhe pse me votat e grumbulluara aktualisht nuk mund t’i sigurojnë ulëset në Kuvend. Nga votat e numëruara deri më tani Muharrem Svarqa ka marrë 2 mijë e 400 vota, ndërsa Saranda Musliu 2000 vota, transmeton Televizioni Tema.