Kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës në Ferizaj, së bashku me kryetarin e kësaj partie në këtë qytet Agim Aliun, në kuadër të fushatës zgjedhore u takuan sot me artistët ferizajas.
Aliu në emër të partisë kërkoi votën e artistëve të Ferizajt për kolegët e tij që janë në garë për deputetë në këto zgjedhje.
“Nuk është e mjaftueshme vetëm mburrja me ju, por është obligim për t’iu mbështetur dhe mbështetja ime do të jetë më e fuqishme, nëse kam krah dhe unë kam krah këta kolegë që i kam në garë politike dhe ju e dini që shumëçka varet nga mbështetja politike dhe këtë e kemi provuar çdo ditë që pa mbështetje politike janë të pamundura arritjet e ambicieve tona”, tha Aliu.
Pas Aliut fjalën e morën artistët të cilët shprehën kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
“Brenga ime më e madhe është që festivalet që mbahen në Ferizaj të kenë buxhete më të mëdha, pra kërkesa ime më e madhe është që të rriten buxhetet e festivaleve”, tha Mentor Haziri.
“Pushtetet qendore dhe lokale nuk e kuptojnë nevojën e kulturës, uroj që zëri i artistëve mos të jetë një zë konsumi para zgjedhjeve, por një zë që ngritet. Ne kemi pasur raste kur kemi mbështetur individ, por që kur janë zgjedhur kanë heshtur”, tha Besim Ugzmajli.
“Do të kisha bërë një kërkesë që buxheti për kulturë dhe përkrahja për aktivitete kulturore të shtohet edhe më shumë, e sidomos për festivalet”, tha Astrit Mustafa.
Në këtë takim me artistët ferizajas folën edhe kandidatët për deputetë të PDK-së nga Ferizaj, të cilët premtuan se do të jenë zëri i tyre në Kuvend nëse arrijnë t’i marrin votat e nevojshme, transmeton Televizioni Tema.