Kushtet atmosferike, të cilat mbretërojnë aktualisht në territorin e Kosovës, kanë bërë të pamundur vazhdimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, përkatësisht asfaltimin e urës të kësaj rruge.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili thotë se afati i përfundimit të urës është deri më 31 dhjetor, por sipas tij, janë duke shikuar mundësitë e kontratës lidhur me shtyrjen e punimeve.
Kadriu ka thënë se punimet duhet të kryhen në mënyrë cilësore dhe të mos rrezikohen ato.
“Shtyrja e afatit momentalisht është bërë për shkak të temperaturave të ulëta, sepse nuk mundemi që ta asfaltojmë urën ngase të gjitha segmentet e tjera janë përfunduar. Ka mbetur vetëm ura 5.7 kilometra pa asfaltuar dhe ne nuk guxojmë të rrezikojmë urën dhe kualitetin e ndërtimit të asaj ure për shkak të kohës që mbretëron në Republikën e Kosovës. Sipas gjendjes që është parë në terren është e pamundur të bëhet asfaltimi i urës më të gjatë dhe më të lartë në Ballkan dhe kështu ne nuk duam që të rrezikojmë punimet në atë urë dhe kualitetin e punimeve që duhet bërë në shtresimin e saj”, tha Kadriu për Telegrafin.
Ai ka shtuar se procedurat e përfundimit të projektit mund të shtyhen dhe për këtë, Ministria e Infrastrukturës është duke shikuar mundësitë e kontratës.
“Në kontratë thirremi në atë se për shkak të kushteve atmosferike munden të shtyhen dhe procedurat e përfundimit të projektit. Në këtë rast kemi kushtet atmosferike të cilat na diktojnë në dinamikë të punimeve. Nuk është problemi te Ministria Infrastrukturës, por të kushtet e rënda atmosferike. Ne afatin e kemi deri me datë 31 [dhjetor], mirëpo ne si Ministri e Infrastrukturës jemi duke e parë kontratën se si mundemi dhe t’i qasemi zhvillimeve tutje. E rëndësishme është se ura të kryhet me një kualitet të lartë, nuk është më rëndësi të kryhet tri javë përpara apo tri javë mbrapa”, ka shtuar ai.